Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor, i ftuar në studion e News24, ka komentuar situatën e përmbytjeve në vend, duke e lidhur drejtpërdrejt atë me keqqeverisjen dhe politikat e dobëta të zhvillimit urban.
Sipas Haxhimalit, përmbytjet nuk janë thjesht pasojë e reshjeve të dendura, por rezultat i mungesës së planifikimit të qëndrueshëm dhe i shkujdesjes së vazhdueshme ndaj infrastrukturës. Ai theksoi se qytetet janë zhvilluar pa një vizion të qartë, ndërsa mirëmbajtja e sistemeve të kullimit është neglizhuar në mënyrë të pafalshme.
“U përmbyt nga keqqeverisja. Ka politika të dobëta të planifikimit urban, ka shkujdesje për mirëmbajtjen e sistemeve të kullimit dhe mungesë investimesh serioze. Investimet janë të fragmentarizuara dhe jo strategjike,” u shpreh Haxhimali.
Eksperti shtoi se ndërtimet janë fokusuar kryesisht në sipërfaqe, ndërkohë që infrastruktura nëntokësore, e domosdoshme për përballimin e situatave të tilla emergjente, është lënë pas dore. Sipas tij, pa investime të qëndrueshme dhe një strategji afatgjatë për urbanizimin, përmbytjet do të vijojnë të jenë një problem i përsëritur.
Haxhimali bëri thirrje për një qasje të re në planifikimin urban dhe menaxhimin e territorit, duke theksuar se vetëm përmes vizionit, përgjegjësisë dhe investimeve të mirëorientuara mund të shmangen pasojat e rënda që po përjetojnë qytetarët nga përmbytjet.
