Shqipëria vazhdon të ketë performancë nën mesataren rajonale dhe ndërkombëtare në arsimin profesional dhe kompetencat digjitale, sipas një raporti të Fondacionit Europian të Trajnimit (ETF).
Raporti evidenton se “rezultatet e dobëta në shkrim-lexim, matematikë dhe shkenca te të rinjtë, të kombinuara me kapacitete të kufizuara mësimdhënieje, materiale të vjetruara dhe mungesë infrastrukture digjitale, po dëmtojnë përgatitjen e brezit të ri për tregun e punës. Shqipëria renditet poshtë mesatares së Evropës Juglindore dhe dukshëm më poshtë se standardet ndërkombëtare për aftësitë themelore.”
Raporti nënvizon se djemtë përballen me nivele shumë të ulëta të shkrim-leximit dhe aftësive bazë, me mbi 80% të tyre që performojnë në ose nën nivelin minimal të testimeve ndërkombëtare, duke reflektuar dobësi strukturore në arsimin profesional fillestar. Vajzat, ndonëse shfaqin aftësi më të mira organizative dhe komunikuese, mbeten të kufizuara nga zgjedhje profesionale të forta sipas gjinisë, çka redukton zhvillimin e kompetencave teknike dhe digjitale.
Dobësitë janë edhe më të theksuara te të rriturit. “Pavarësisht niveleve të larta formale të shkrim-leximit, pjesëmarrja në arsimin gjatë gjithë jetës mbetet nën 1%, ndërsa aftësitë digjitale të avancuara janë ndër më të ulëtat në Evropë. Vetëm një pakicë e vogël e të rriturve zotëron njohuri bazë të teknologjisë së informacionit, duke kufizuar produktivitetin dhe aftësinë për riorientim profesional,” vëren raporti.
Pabarazitë gjinore dhe territoriale mbeten shqetësuese. Raporti thekson se “gratë dhe zonat rurale përballen me akses më të kufizuar në aftësi digjitale dhe numerike, duke thelluar hendekun mes kërkesave të ekonomisë moderne dhe kapaciteteve reale të fuqisë punëtore shqiptare.”
Të dhënat e përdorura për llogaritjen e SPI-ve (Treguesi i Panoramës së Aftësive) tregojnë dobësi konkrete në aftësitë digjitale: “Vetëm 10.1 % e grave dhe 8.7 % e burrave mund të përdorin formula bazë në fletë-llogaritëse, ndërsa 16.3 % dhe 17.6 % përkatësisht mund të krijojnë prezantime elektronike.
Vetëm rreth një në pesë persona mund të transferojnë skedarë midis pajisjeve ose të konfigurojnë programe dhe aplikacione, dhe më pak se 5 % kanë përfunduar një kurs online.”/ Monitor
