Sot në mbrëmje pritet të mbahet protesta e tretë radhazi në Tiranë, kundër ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Tubimi është thirrur në orën 18:00 përpara Kryeministrisë, pas një serie protestash që kanë nisur ditët e fundit në kryeqytet.

Një ditë më parë, mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas marshuan drejt godinës së qeverisë, në një protestë që u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pjesëmarrësit përcollën mesazhin “Nesër më shumë”, duke paralajmëruar mobilizim të mëtejshëm.

64be975e 6048 4e52 Ae3f 11ebbda4244a
64be975e 6048 4e52 Ae3f 11ebbda4244a

Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike. Nga ana tjetër, ata pretendojnë se investitorë të ndryshëm po përfitojnë nga toka shtetërore në mënyrë të padrejtë.

Gjatë protestës të së shtunës në Zvërnec janë raportuar edhe tensione, ku roje private sigurie kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe një qytetar është tërhequr zvarrë, çka ka nxitur reagime dhe përshkallëzim të mëtejshëm të pakënaqësive.

Në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, qytetarët brohoritën parrullat “Rama burg, Berisha burg”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria nuk është për shitje” ndërsa  kërkuan ndalimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb