Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, njoftoi se një video tronditëse që dëshmon manipulimet në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri u shfaq sot në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës.
Berisha tha se përfaqësuesit e PD-së, gjatë javës së kaluar, zhvilluan një ofensivë të gjerë diplomatike në Bruksel dhe Strasburg për të denoncuar farsën elektorale, duke e krahasuar me zgjedhje në Zimbabve 30 vite më parë. Ai theksoi se argumentet dhe dëshmitë e paraqitura nga deputetët demokratë – përfshirë Oerd Bylykbashin, Gazment Bardhin, Jorida Tabakun, Ina Zhupën dhe Albana Vokshin – treguan qartë se qeveria Rama është, sipas tij, “armike e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve”.
Sipas Berishës, raporti i hartuar nga delegacioni vëzhgues i Këshillit të Europës, i drejtuar nga eurodeputeti Simone Billi, u diskutua sot në grupet parlamentare dhe pritet të miratohet në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ai nënvizoi se prania e delegacioneve më të mëdha vëzhguese në Shqipëri tregon shqetësimin europian për standardet demokratike në vend, ndërsa premtoi se komentet për raportin do t’i japë pas miratimit zyrtar në asamble.
“Java që kaloi, ishte një javë jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë front. Në një sintoni të plotë përfaqësuesit e PD-së në Komitetin e Stabilizim Asociimit në Parlamentin Europian, nënkryetarët e PD-së, Oerd Bylykbashi, Agron Gjekmarkaj, kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, kryetarja e Komisionit për Integrimin, Jorida Tabaku, kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, deputeti Korreshi, deputetja Zheni Gjergji, paraqitën në aulën e tempullit të demokracisë, të vërtetën e zgjedhjeve, të cilat siç i theksoi miku i shquar gjerman, ishin si zgjedhje në Zimbabve 30 vite më parë.
Mendoj se përfaqësuesit e PD-së me fjalët e tyre, me argumentet që paraqitën, dëshmuan se Edi Rama është një armik i vërtetë i lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve, është një armik i rrezikshëm i vlerave themelore të individit dhe shoqërisë së lirë, vlera të cilat bashkojnë kombet e lira Europiane.
Sot beteja vazhdon po Strasburg.
Por kësaj radhe vazhdon në asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, sesionit të saj.
Dua të theksoj se si Parlamenti Europian ashtu dhe Këshilli Europës, patën si vëzhgues në këto zgjedhje, delegacionet më të mëdha që ata kanë dërguar ndonjëherë në Shqipëri.
Sot në Këshillin e Europës do të paraqitet nga kryetari i delegacionit të Këshillit Europës, që vëzhgoi zgjedhjet, raporti i parlamentarëve Europianë, anëtarë të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, Simone Billi.
Ky raport është diskutuar sot në grupet parlamentare dhe do të diskutohet në seancën plenare të kësaj asambleje, për të marrë formën përfundimtare.
Zonja Albana Vokshi, e pranishme në grupin parlamentar të Partisë Popullore, paraqiti që në mëngjes një video shokuese, shokuese për audiencën, e cila tregoi se pse zgjedhjet në Shqipëri, ishin një farsë e tipit të Zimbabeve të 30 viteve më parë.
Edhe njëherë e them, pamjet e paraqitura në tempullin, në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ishin shokuese për audiencën.
Tani zhvillohet debati, në të cilat zgjedhjet janë, zgjedhje që nuk kanë të bëjnë me zgjedhje me standardet Europiane, siç konstaton vetë delegacioni dhe rreshton aty një listë të gjerë problemesh themelore, manipulimesh, mashtrimesh, blerje vote, por komentet dëshiroj ti bëj pasi raporti të miratohet në asamblenë parlamentare”, tha ai.
