Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se procesi i integrimit europian të Shqipërisë ka hyrë në një fazë të re, atë të veprimit konkret dhe jo më vetëm të aspiratës.
Duke folur në Kuvend, Balla u shpreh se anëtarësimi në Bashkimin Europian është objektivi madhor kombëtar dhe një proces që, sipas tij, kërkon angazhim të përditshëm institucional. Sipas Ballës, vendi ndodhet në një fazë dinamike të integrimit, ku është kaluar nga “faza e aspiratës” në “fazën e veprimit”, falë, siç tha ai, një pune të koordinuar mes institucioneve.
Ai përmendi gjithashtu hapjen e gjashtë kapitujve të negociatave brenda një periudhe të shkurtër, duke e cilësuar këtë si një rekord në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe si tregues të progresit të Shqipërisë në këtë proces. Balla bëri thirrje për ndërtimin e një konsensusi kombëtar mbi procesin e integrimit, duke e cilësuar atë si një përgjegjësi të përbashkët institucionale dhe politike.
“Jemi para një përgjegjësie institucionale sot. Anëtarësimi në BE është objektivi ynë madhor, kombëtar i reformave, transformimi i shtetit dhe i shoqërisë shqiptare. Nuk është aspiratë e përgjithshme as slogan i bukur për t’u përsëritur në rast solemn si i sotmi, por është përgjegjësi institucionale çdo ditë. Sot Shqipëria ndodhet në fazë të re, dinamike. Kemi kaluar nga faza e aspiratës, në fazën e veprimit, falë një punë të koordinuar të një ekipi që e përgëzoj. Në pak muaj kemi hapur 6 kapituj. Rekord më vete në historinë e zgjerimit. Është arritje e jashtëzakonshme dhe tregues se Shqipëria nuk po ecën me hapin e dëshirës, por të realizimit. Kjo është falë bashkëpunimit të qeverisë, Kuvendit dhe shoqërisë civile. Ne si Kuvend kemi rolin më të rëndësishëm në këtë proces. Të ndërtojmë konsensus kombëtar!”, tha Balla.
