Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Forumi i 20-të i Bledit në Slloveni se Shqipëria po bën gjithçka për të përmbushur objektivat e vendosura nga Komisioni Europian, me synimin për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE brenda vitit 2027.

“Ne nuk themi që jemi gati për 2027, por kemi objektiva të qarta nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë kriteret për të përmbyllur negociatat. Po shtyjmë përpara pa bërë pyetje”, u shpreh Rama, duke shtuar me ironi se “nëse e ngatërron Bledin me Brukselin, atëherë ke shkuar për dreq”.

Kryeministri e cilësoi procesin e integrimit si një mundësi për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të forcuar shtetin. “Europa është bekim për vende si ne sepse është e vetmja hapësirë ku mëson si ndërtohen institucionet. Ky është dallimi me përpjekjet e tjera në vende si Afganistani apo Iraku, ku u mendua se ndryshimi vjen me bomba, por nuk është kështu”, tha ai.

Rama theksoi se Shqipëria mbetet “absolutisht euro-optimiste” dhe se populli shqiptar është i vendosur për këtë rrugë, pavarësisht vështirësive. “Në fund, jam i bindur që do të ‘martohemi’ me BE-në. Europa na ka bërë të vuajmë shumë, por ne e duam pa kushte. Na duhet vetëm të meritojmë këtë martesë”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb