Shqipëria U-17 triumfoi me përmbysje në ndeshjen miqësore ndaj Sllovenisë U-17 me rezultatin 2-1. Një debutim me fitore në stolin e Kombëtares U-17 për trajnerin Bledi Shkëmbi, i cili në një prononcim për fshf.org tha se miqësorja me Slloveninë U-17 ishte një test pozitiv.

“Kënaqësi, ishte ndeshja e parë. Një test pozitiv pavarësisht se fitorja të jep gjithmonë kënaqësi, por jemi të vetëdijshëm që kemi shumë punë për të bërë. Patjetër që ndeshja pati gjëra pozitive por gjithashtu edhe probleme që ne duhet t’i rregullojmë me patjetër”, – tha fillimisht Bledi Shkëmbi, i cili shtoi se fokusi kryesor i FSHF është te përgatitja sa më e mirë e Kombëtares U-17, pasi në vitin 2025 do të marrë pjesë në finalet e Euro U-17, që do të zhvillohen në vendin tonë nën organizimin e FSHF-së.

“E gjithë struktura e Federatës sidomos ajo e Drejtorisë Teknike jemi duke punuar shumë për ekipin Kombëtar U-17, duke marrë parasysh që është një event shumë i madh, ku do të marrim pjesë në vitin 2025 në Europian, për mua si trajner por edhe për futbollistët. Po mundohemi që të bëjmë një përzgjedhje të mirë, për të qenë sa më dinjitoz dhe të gjitha këto ndeshje, kjo që u luajt dhe të tjerat që do të vijnë më pas patjetër që do të jenë në funksion të përgatitjes të skuadrës pikërisht për këtë event” – theksoi Bledi Shkëmbi.

Më tej, trajneri i Kombëtares U-17 shtoi se po punohet sa më shumë në zbulimin e talenteve të rinj, për një përzgjedhje sa më të mirë të lojtarëve në të ardhmen.

“Po vazhdojmë me projektin “Step by Step” dhe unë mendoj që është diçka pozitive, tashmë po e shikojmë dhe po e ndjejmë që futbollistët që ne i thërrasim për t’i ndjekur nga afër, për t’i stërvitur nga afër është diçka më ndryshe. Dallohet përmirësimi por edhe njohja sa më e mirë e imja si trajner, por edhe e stafit tim me futbollistët. Do të vazhdojmë dhe patjetër që ne jemi në kërkim dhe në vëzhgim të lojtarëve të tjerë. Kemi shumë emra që ne po i ndjekim dhe jam i bindur që do t’i përzgjedhim me sukses” – përfundoi Bledi Shkëmbi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb