“Nuk është merita jote që vinë më shumë turistë është merita e zotit që na ka fal një vend të bukur e të bekuar por është për të ardhur keq që nuk kemi ditur të zgjedhim njerëzit e duhur për të na drejtuar se dhe ti njësoj me Berishën e Metën je nuk ke asnjë ndryshim prandaj më mirë rri rehat sa të kesh pushtet se inshallah të vjen dhe ty radha siç ju erdhi atyre të luftosh nëpër gjykata e nëpër burgje” ka qenë një nga komentet që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet në “Sy s’sy”.

Rama u shpreh se PS është ndryshe, është vetë ndryshimi, dhe ka qenë pikërisht PS që e ka bërë Shqipërinë turistike.

“Merita e Zotit, domethënë ftesa për Shqipërinë si vend nderi i Panairit Global të Berlinit për Turizmin? Çudi e madhe! Punët tona të mira janë meritë e Zotit, ndërsa edhe kur bie shi në tre orë, sa ç’binte dikur për tre muaj dhe ka një përmbytje – siç ndodhin kudo për javë nëpër Europë – është faji im, faji i qeverisë. Dakord, dakord, por lind pyetja: Po pse, kur na e fali Zoti këtë ne vend të bukur e të bekuar, kur erdha unë në qeveri, apo kur Zoti bëri botën dhe i vuri shqiptarët këtu?

Pra, meqë ne qenkemi të gjithë njësoj sipas teje, pse nuk vinin turistët edhe para sesa të vinin Partia Socialiste bashkë me mua në qeveri? Po meqë deti, malet dhe lumenjtë aty ishin, pse nuk na zinte njeri me gojë deri disa vite më parë për këto bukuri që na ka falur Zoti, por vetëm për plehrat dhe për tërë të zezat?

Dhe kush e përmbysi këtë histori të marrëdhënieve të botës me ne dhe kush i bëri gjithë mediat e botës të flasin për Shqipërinë si destinacion turistik? Zoti? Po pse u kujtua Zoti xhanëm vetëm këto vitet e fundit që jemi ne në qeveri dhe nuk deshi t’ia dinte fare përpara, kur qeverisnin ata që e bënë këtë vend zhele, katran me bojë në sytë e botës dhe që nuk ua hidhte sytë askush, fare.

E more, Sali Kurra, se edhe emrin e profilit falso e ke vënë goxha problematik! Siç thotë populli: Zoti ndihmon ata që ndihmojnë veten. Dhe Shqipërinë turistike e bëmë ne dhe askush tjetër. Në radhë të parë, me atë rilindje urbane; dhe pastaj, me durim, me një politikë të jashtme dinjitoze që e ka bërë Shqipërinë lajm të mirë dhe vend të respektuar, si dhe me shumë punë të tjera në të gjitha drejtimet.

Kështu që Shqipëria ftohet si vendi i nderit në Panairin Global të Turizmit në Berlin, ftohet sepse kemi punuar për këtë ditë. Dhe ditë më të mira do të vijnë. E di pse? Sepse punojmë për to. Dhe sepse jo vetëm nuk jemi të gjithë njësoj, por ne jemi shumë më ndryshe. Ne jemi vetë ndryshimi”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb