Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për mbylljen me shpejtësi të bizneseve të fasonerisë, duke e cilësuar situatën si pasojë të drejtpërdrejtë të politikave dhe mungesës së vizionit ekonomik të qeverisë Rama.
Sipas saj, industria fason është lënë pa mbështetje dhe subvencione, ndërsa përballet me zhvlerësimin e euros, kostot e larta dhe barrën e taksave. Tabaku theksoi se mbyllja e fabrikave po godet jo vetëm sipërmarrësit, por edhe mijëra familje që sigurojnë të ardhurat nga ky sektor.
Deputetja demokrate paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të humbasë markën “Made in Albania”, ndërsa biznese të shumta po nxirren në shitje dhe sipërmarrësit po transferojnë pajisjet dhe aktivitetin e tyre jashtë vendit.
Ajo akuzoi qeverinë se ka dëmtuar konkurrencën dhe ekonominë përmes tolerimit të parave të pista dhe lidhjeve me krimin e organizuar, ndërkohë që nuk ka hartuar politika për mbrojtjen e prodhimit dhe punësimit.
“Pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një model ekonomik që mbështet sipërmarrjen dhe punën, jo një sistem që i detyron bizneset të mbyllen”, përfundoi Tabaku.
Postimi i plotë:
Pas 13 vitesh në qeveri, socialistët, në kulmin e pushtetit të tyre, u kanë lënë mbi 175 mijë familjeve shqiptare një kartolinë të hidhur: zhbërjen e industrisë fason dhe çuarjen drejt falimentimit të një sektori që dikur punësonte mbi 175 mijë shqiptarë.
Ky është rezultati i një sistemi ekonomik dhe politik që sakrifikon familjet shqiptare, bukën dhe të ardhurat e tyre, për të mbajtur në këmbë një pakicë që e ka ngritur këtë sistem dhe përfiton prej tij.
Paratë e pista dhe krimi i organizuar po helmojnë konkurrencën dhe ekonominë. Ndërkohë, qeveria as e mbështet dhe as e subvencionon industrinë fason, e goditur rëndë edhe nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta dhe taksat.
Në mes të kësaj tragjedie që po konsumon jetën e mijëra familjeve, Shqipëria po humbet markën “Made in Albania”. Pamjet e bizneseve që nxirren në shitje dhe të sipërmarrësve që paketojnë pajisjet për t’u larguar e për të hapur vende pune diku tjetër janë dëshmia e vizionit ekonomik të dështuar të kësaj qeverie.
Në një ekonomi botërore që ndryshon me shpejtësi, vendet e tjera ndërtojnë politika për të mbrojtur prodhimin dhe punësimin. Socialistët bëjnë të kundërtën: nuk punojnë për shumicën, por për pakicën që përfiton nga skemat e pastrimit të parave, abuzimi me pushtetin dhe bashkëjetesa me krimin e organizuar.
Pa prodhim nuk ka vende pune, eksporte dhe ekonomi të qëndrueshme. Shqipërisë i duhet një model ekonomik që mbështet sipërmarrjen dhe punën, jo një sistem që i detyron bizneset të mbyllen.
