NGA DORJANA BEZAT*
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, këta të fundit do të kenë mundësi që vetëm me një kompjuter, të kryejnë procedurat e regjistrimit. Ata kanë detyrim deklarimin fillestar të adresës pranë autoriteteve përgjegjëse brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Sipas qeverisë, shtetasit shqiptarë nëpër botë do të mund të regjistrohen, në mënyrë që të marrin të gjitha shërbimet e gjendjes civile në vendin ku banojnë. Ky ligj vlen për shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për më shumë se tre muaj pa ndërprerje, ose për më shumë se gjashtë muaj në një vit kalendarik. Në zbatim të këtij ligji, shtetasi është i detyruar të deklarojë edhe adresën e re brenda 60 ditëve nga data e lidhjes së kontratës së qirasë apo shitblerjes së objektit të banimit, dhe çdo dokument tjetër që provon ndryshimin e adresës.
Pas vetëdeklarimit të adresës në mënyrë elektronike, autoriteti përgjegjës konfirmon adresën e deklaruar nga shtetasi, nëpërmjet shërbimit postar. Autoritetet përgjegjëse nuk kryejnë asnjë veprim për regjistrimin e adresës së vetëdeklaruar, deri në konfirmimin e saj, nga shërbimi postar.
Kur të dhënat e verifikuara përputhen me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, nëpunësi kryen regjistrimin e adresës së shtetasit që jeton jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në programin e regjistrimit të adresës. Në rast se konstatohen mospërputhje nëpunësi, njofton shtetasin për saktësimin e të dhënave të kërkuara. Autoriteti përgjegjës për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit është Ministria e Brendshme nëpërmjet nëpunësit të zyrës së gjendjes civile në bashki dhe ministria që mbulon shërbimin konsullor, nëpërmjet nëpunësit të autorizuar të përfaqësisë diplomatike dhe konsullore.
(m.k/News24/BalkanWeb)
