Eurodeputeti bullgar me origjinë nga Korça, Andrey Kovatchev, ka komentuar protestat e fundit në Shqipëri, duke theksuar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe se dialogu mbetet rruga më e mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Gjatë një vizite në Shqipëri së bashku me kolegë nga Parlamenti Bullgar, Kovatchev deklaroi se institucionet evropiane vlerësojnë progresin e bërë nga vendi në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Jemi shumë të kënaqur që ndodhemi përsëri në Shqipëri. Javën e ardhshme në Strasburg do të miratojmë në seancë plenare raportin vjetor të zgjerimit për Shqipërinë. Ne e mirëpresim progresin e bërë nga Shqipëria dhe faktin që të gjitha partitë shqiptare mbështesin integrimin evropian. Shpresojmë që zgjerimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian të përfshijë Shqipërinë dhe Malin e Zi”, tha ai.

I pyetur nëse protestat masive mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian të vendit, eurodeputeti u shpreh se zhvillimet po monitorohen nga afër, por se zgjidhja duhet të vijë nga vetë politika shqiptare.

“Ne po monitorojmë me shumë vëmendje çdo zhvillim. Kjo është një çështje që i takon klasës politike në Shqipëri ta zgjidhë, duke respektuar të gjitha standardet dhe legjislacionin, veçanërisht ato që lidhen me mjedisin. Këto çështje do të reflektohen edhe në raportin e progresit”, deklaroi Kovatchev.

Duke folur për rëndësinë e protestave në një shoqëri demokratike, ai theksoi se shprehja e pakënaqësive qytetare është legjitime për sa kohë zhvillohet në mënyrë paqësore.

“Është mirë të dëgjohet zëri i popullit, nëse gjithçka është e qetë dhe paqësore. Thirrja jonë për të gjitha partitë, si ato në pushtet ashtu edhe në opozitë, është të dëgjojnë njëra-tjetrën dhe të gjejnë zgjidhjen më të mirë për qytetarët”, u shpreh ai.

Sipas eurodeputetit bullgar, objektivi kryesor duhet të mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Për qytetarët e Shqipërisë, më e mira është hyrja sa më e shpejtë në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një aleate shumë e mirë në NATO dhe shpresojmë që së shpejti të bëhet pjesë edhe e familjes evropiane”, tha Kovatchev.

Në fund, ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe të zbatojë të gjitha standardet ligjore dhe mjedisore, duke nënvizuar se Parlamenti Evropian nuk ndërhyn në politikën e brendshme të Shqipërisë, por mbështet dialogun dhe bashkëpunimin mes mazhorancës dhe opozitës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: