Këshilltari për Çështjet Ekonomike në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po menaxhohet pagesa e detyrimeve ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, pas humbjes së gjyqit nga qeveria shqiptare.

Në një postim në rrjetet sociale, Teliti denoncoi se gjatë 34 muajve të fundit, nga buxheti i shtetit janë paguar plot 100 milionë euro për llogari të Becchettit, përmes kompanisë shtetërore Albcontrol.

“Becchetti fitoi gjyqin ndaj qeverisë shqiptare, por fitoren e tij po e paguajnë qytetarët e thjeshtë, jo qeveritarët. Jo ata që morën vendimet, por taksapaguesit që mezi mbyllin muajin,” shkruan Teliti.

Sipas tij, mekanizmi i pagesave është i qartë: “Becchetti merr nga Albcontrol, Albcontrol merr nga Qeveria, dhe Qeveria merr nga xhepat e shqiptarëve.”

Teliti thekson se vetëm me aktin normativ të buxhetit për vitin 2025, janë parashikuar 30 milionë euro të tjera për të mbuluar këto detyrime.

Ai e konsideron këtë rast një shembull të “arrogancës dhe papërgjegjshmërisë qeverisëse”, ku humbjet financiare për shkak të vendimeve politike i përballon populli, ndërsa “përgjegjësia mbetet mall pa zot”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb