Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një prononcim për gazetaren e News24, Klodiana Lala, nga protesta para Ministrisë së Arsimit, ka dënuar dhunën ndaj protestuesve dhe ka vlerësuar daljen në shesh të pedagogëve, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë. Tabaku falënderoi News24 për punën e bërë, duke theksuar se edhe gazetarët kanë rënë pre e agresionit. Ajo u shpreh se në protestë është e pranishme si pedagoge dhe si deputete, ndërsa bëri thirrje për bashkimin e pedagogëve, intelektualëve dhe prindërve në mbrojtje të fëmijëve.
Sipas saj, në shumicën e rasteve të shoqërimeve bëhet fjalë për studentë dhe qytetarë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e personave të tjerë, duke pyetur se ku janë ata nëse ekzistojnë. Tabaku kritikoi gjithashtu trajtimin e protestuesve dhe bëri dallimin mes efektivëve të policisë që, sipas saj, kryejnë detyrën me ndershmëri dhe atyre që zbatojnë urdhra duke u sjellë në mënyrë arrogante.
Ajo paralajmëroi se përdorimi i dhunës nga pushteti rrezikon paqen sociale dhe mund të krijojë përplasje mes policisë dhe bizneseve, ndërsa shprehu shpresën që situata të përfundojë në mënyrë normale.
“Falënderoj News24 për punën e palodhur. Edhe ju keni rënë pre e agresionit. Jam këtu si pedagoge dhe si deputete. Dje, pas kërcënimit të Ramës, sot pedagogët dolën në shesh. Ky është një sinjal i fortë. Bashkimi i pedagogëve, i çdo zëri, i intelektualëve dhe i prindërve për të mbrojtur fëmijët duhet të ishte gjëja e parë që duhej të ndodhte.
Ka disa raste ekstreme, por persona me aftësi të kufizuara janë shoqëruar në komisariate. Është ushtruar dhunë kudo. Në 90% të rasteve të të shoqëruarve nuk ka pasur ekstremistë, por studentë. Nuk ka pasur as duar të huaja. Nëse ka, ku janë? Një pjesë e madhe janë kalimtarë dhe një pjesë studentë pjesëmarrës në protestë. Ka pasur sjellje çnjerëzore ndaj protestuesve.
Dua të bëj një dallim të madh mes atij kontingjenti të ndershëm në Policinë e Shtetit, që sot është lënë në mëshirë të fatit. Ata kanë qenë 24 orë pa ngrënë dhe kanë familje. Por ka edhe një kontingjent tjetër, që sillet egër dhe zbaton urdhra. Mendoj se një pushtet që përdor dhunë, që krijon një konflikt të tillë dhe që rrezikon sot paqen sociale, duke i vendosur bizneset kundër policisë, po përdor mjetet e fundit! Shpresoj shumë që kjo të përfundojë në mënyrë normale.
Dua të them: hajde të mbrojmë fëmijët tanë!”, tha ajo.
