Anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, e ftuar në studion e News24, ka folur për protestën e thirrur nga PD në orën 18:00, duke theksuar se situata aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore e bën të domosdoshme reagimin qytetar.
Kuçana u shpreh se protestat janë të shëndetshme për demokracinë dhe se ato vetëm sa e forcojnë shoqërinë. Ajo ndaloi veçanërisht tek ngjarjet e fundit që përfshijnë median, duke i cilësuar ato si sinjale alarmi për lirinë e fjalës dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
“Shqipëria ka nevojë për protesta, shoqërisë i bëjnë mirë protestat. Ajo që i ndodhi News24 është cenim i të drejtës dhe i demokracisë. Kur cenohet media, kjo është kambanë alarmi,” deklaroi Kuçana, duke shtuar se duhej një reagim më i fortë publik.
Ajo listoi një sërë problematikash për të cilat, sipas saj, qytetarët duhet të ngrihen:
– rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë,
– mungesa e sigurisë,
– degradimi i shëndetësisë dhe arsimit,
– pasiguria ekonomike që po largon të rinjtë nga vendi.
“Mund të jesh duke kaluar në një rrethrrotullim dhe bandat mund të jenë duke ‘ngrënë kokat e njëra-tjetrës’, por fatkeqësisht mund të hanë edhe tonat,” u shpreh ajo, duke e cilësuar sigurinë publike alarmante.
Kuçana akuzoi kryeministrin Rama për dështime në ekonomi, siguri dhe moral politik. “Erdhi në pushtet me bandat dhe droga lulëzoi. Sot pastron lekët e drogës dhe nuk ka asnjë prioritet për qytetarët,” deklaroi ajo, duke theksuar se shqiptarët duhet të protestojnë edhe “për mbrojtjen e familjes”.
Teksa komentoi gjendjen e brendshme të Partisë Demokratike, Kuçana pranoi se PD nuk është në ditët e saj më të mira dhe se ka nevojë për ndryshime të thella. “Nevojiten figura të reja, energji të reja dhe njerëz që marrin përgjegjësi. Kush humbet duhet të japë dorëheqje. PD është aset kombëtar dhe duhet trajtuar si e tillë,” tha ajo.
Duke folur për kryetarin e PD-së, Sali Berisha, ajo theksoi: “Berishën e kanë zgjedhur demokratët. Shumë shpejt na mbaron mandati edhe neve si përfaqësues. Çdo karrige në PD apo në pushtet nuk është luks personal, është e shqiptarëve dhe kërkon llogaridhënie.”
Në përfundim, Kuçana nënvizoi se politika është mbi të gjitha moral: “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mbajmë përgjegjësi. Pa këtë, nuk ka demokraci funksionale.”
Ajo theksoi se protestat do vijojnë nga opozita deri në arritjen e qeverisë teknike.
“Ne do jemi në protesta deri në qeveri teknike, patjetër do shkohet në qeveri teknike. Nuk mund të vijohet më kështu. Kjo opozitë nuk ëhstë gati për të ardhur në pushtet, duhet një rinovim. Duhet një ekip drejtues sepse pas qeverisë teknike do ketë zgjedhje, duhen njerëz me integritet të pa konsumuar nga pushteti. Duhen njerëz që nuk kanë mëkate kur dalin përballë njerëzve dhe pasqyrës. Duhen njerëz profesionalë dhe me integritet. Njerëz që e kanë ndërtuar karrierën pa mëkate”, u shpreh ajo.
