Kryeministri Edi Rama është shprehur i bindur që me 11 maj nuk do të ketë një ndryshim të mazhorancës qeverisëse, por se e vetmja gjë që sipas tij kërkon PS sot, është një votë masive si një mesazh që do t’i jepet Europës në lidhje me anëtarësimin në BE.

Rama ka bërë të qartë se çështja e 11 Majit nuk ka lidhje me fanelën politike, por me mesazhin që populli shqiptar do t’i dërgojë Bashkimit Europian.

Ai ka theksuar se shqiptarët janë shumë të mençur dhe kanë një instinkt të fortë politik, duke shtuar gjithashtu se mazhoranca do të marrë më shumë se 800 mijë vota, përfshirë këtu edhe ndikimin e votës së diasporës.

“Do të ishte fatale për vendin çdo lloj lëkundjeje në 11 Maj. Që të jemi të qartë nuk parashoh ndryshim të maxhorancës, të shumicës. PS do ta rifitojë shumicën. Këtu çështja është se cili do të jetë mesazhi që populli do t’i japë Bashkimit Europian. Kjo nuk ka lidhje me fanelën apo me faktin që ne rrezikojmë të humbasim zgjedhjet. Kjo nuk ndodh për arsyen e thjeshtë sepse shqiptarët janë shumë të mençur dhe kanë instinkt të fortë politik dhe për politikë nuk ua shkopin asnjë lloj qeni”, tha Rama.

“Ne marrim afro 800 mijë vota, këtë here do marrim edhe më shumë, për shkak të diasporës. 800 mijë njerëz nuk janë shqiptarë të ndershëm? Se kush do të ndëshkohet në 11 maj… ja ku erdhi 11 maji. Për hir të tifozllëkut, nuk shohin fare realitetin, u duket zi nga të gjitha anët. Më vjen keq se vijnë zgjedhjet dhe më pas zhgënjehen”, tha ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb