ITALI-Karabinierët e provincës së Rikiones në Itali kanë arrestuar një shqiptar 28-vjeçar që posedonte 51 kg marijuanë. Me rastin e festës së Pashkëve, policia filloi kontroll intensiv nëpër rrugë për të bllokuar ardhjen e drogës së madhe nga shpërndarës lokalë. Arrestimi i 28-vjeçarit vjen pas një hetimi të plotë, që çoi policinë e udhëhequr nga kapiteni De Lise drejt sigurisë për mbërritjen e një dërgese të madhe të drogës nga jugu, në mbrëmjen e 26 marsit. Ushtarakët kanë bllokuar daljet e autostradave me pagesë, nga Rikione, në Riminin verior në Cesena. Në mesnatën e së enjtes dhe së premtes, makina e të dyshuarit është identifikuar në vendkalimin me pagesë “Lugina e Rubikonit”. Pas kësaj, ai është ndaluar në Gatteo, në rrugën për në Rimini. Droga 51 kg e ndarë në disa pako, pjesërisht ishte fshehur në bagazh, në një qese të zezë. I riu nuk kishte asnjë dosje penale, ndërsa tani ndodhet në burg në Forli. Ngjarja ka shkaktuar jehonë edhe në mediat italiane, që nuk e kanë anashkaluar si ngjarje. Prestigjiozja “Ansa” i ka dedikuar një artikull shumë të gjerë, duke shprehur habi sesi një i papunë në Itali ka mundur të operojë në rrjetin e drogës pa u vënë re më herët nga policia. “I riu ishte prej kohësh i papunë, edhe pse bënte një jetë luksoze. Është dashur shumë kohë që të vihet re nga policia burimi i të ardhurave të D.B., lindur në Fier dhe banues në Firence”, shkruan “Ansa”. Sipas saj, lënda narkotike u gjet në një makinë në pronësi të shqiptarit, “të mbushur” me drogë, që udhëtonte për në Rimini. Kofanoja e makinës dhe sedilja e pasme ishin të mbushura me kuti me marijuanë. Bandat shqiptare të drogës janë kthyer në një shqetësim për shtetin fqinj. Para pak ditësh, një tjetër shqiptar u arrestua në Romë me 100 kile lëndë narkotike në automjetin e tij. Mediat italiane bëjnë të ditur se, në pranga ka rënë shqiptari me iniciale K.I., i cili udhëtonte drejt kryeqytetit italian, ku mendohet se ishte destinacioni i drogës. Policia ka kontrolluar makinën e shqiptarit, pasi ka vënë re në sediljen e pasme disa pako të dyshimta. Pas kontrollit, rezultoi se në automjet ndodheshin 70 pako me marijuanë, të cilat përmbanin rreth 100 kg lëndë narkotike. Mësohet se 34- vjeçari shqiptar është pa precedentë të mëparshëm penalë dhe disponon leje të rregullt qëndrimi në Itali. Prejardhja e lëndës narkotike është Shqipëria, ndërsa policia italiane po punon për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafikun e drogës. Prej kohësh Shqipëria shërben si furnizuese me kanabis për shtetin fqinj. Gjithnjë e më shumë po shtohen kontrollet në portet e Shqipërisë, për të qenë sa më vigjilentë ndaj sasive me drogë që kalojnë, nga vendi ynë, nëpërmjet portit për në Itali.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: