Greva e urisë e shqiptarit Pano Ruçi, që kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij 22-vjeçar, Denis Ruçi, në aksidentin hekurudhor të Tempit, ka ngjallur debat edhe në Parlamentin e Greqisë.

Çështja u përmend gjatë një seance plenare edhe nga ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, i cili shprehu mbështetjen e tij për Ruçin.

“Ne kemi fëmijë dhe nuk e kuptoj se si mund të mohohet e drejta e një babai për të kërkuar hetimin e vdekjes së fëmijës së tij”, deklaroi Dendias. Ai shtoi: “Besoj se të gjithë jemi dakord për këtë. Nuk arrij të kuptoj që mund të ekzistojë një qëndrim ndryshe. Gjëja e fundit që i nevojitet këtij njeriu është që drama e tij të rëndohet edhe më tej.”

Ministri u rikthye te kjo çështje pas deklaratës së presidentit të SYRIZA-s, Sokrates Famellos, i cili akuzoi qeverinë për mospërmbushjen e kërkesave të Pano Ruçit.

“Nuk dua të komentoj më tej për rastin e këtij babai të pafat. Por nuk e shoh si faj të qeverisë kur bëhet fjalë për drejtësi. Natyrisht, ne do të ishim përgjegjës nëse kjo do të ishte një çështje që i takonte qeverisë. Megjithatë, kjo është përgjegjësi e sistemit gjyqësor. Qëndrimin tim e kam shprehur dhe qëndroj përkrah këtij babai,” theksoi Dendias.

Ndërkohë, Gjykata e Larisës ka pranuar kërkesën e avokates së familjes Ruçi për zhvarrosjen e trupit dhe kryerjen e një ekspertize mjeko-ligjore. Kjo, pasi Pano Ruçi dyshon se trupi në arkivol nuk është i të birit, për shkak të shpërthimit të zjarrit dhe dëmtimeve të rënda që pësuan trupat në aksidentin hekurudhor.

Procesi është shtyrë për javën e ardhshme, me kërkesë të avokates, e cila ka kërkuar që ekspertiza të përfshijë edhe një përfaqësues teknik të caktuar nga pala mbrojtëse.

Ndërkohë, Ruçi ndodhet në javën e katërt të grevës së urisë përpara Parlamentit grek, ndërsa gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet dita-ditës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb