Ish-pjesëtari i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç u dënua para departamentit special të Gjykatës së Lartë në Beograd me 20 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 në rrethinën e Pejës në Kosovë.
Ai u dënua se si komandant i brigadës 177 kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se kishte ditur për vrasje e grabitje.
Aktakuza përshkruan me detaje pushtimin e fshatrave, vrasjet, grabitjet, djegien e shtëpive dhe dëbimin e civilëve në drejtim të Shqipërisë, raporton Sinjali.
Përveç Miladinoviçit, Predrag Vukoviç u dënua me 13 vjet, Abdulah Sokiç me 12, Sinisha Mishiç me pesë vjet, ndërsa Llazar Pavloviç, Slavisha Kastratoviç dhe Boban Bogiçeviç u dënuan me nga dy vjet.

Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të civilëve. Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i detashmentit, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme.
Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të Beogradit mund të apelohet. Natasha Kandiq nga organizata joqeveritare, Fondi për të Drejtën Humanitare, pas vendimit se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme, raporton Rel.
“Ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”, tha ajo përmes një deklarate të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Gjykimi për këtë rast nisi më 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015.