Të paktën shtatë persona u vranë dhe mbi 20 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ruse ndaj zonave pranë vijës së frontit në Ukrainën lindore, njoftuan autoritetet lokale të hënën.
Sipas prokurorëve në rajonin e Donetskut, tre persona humbën jetën në dy zona pranë Kostantinivkës, një nga pikat më të nxehta të luftimeve. Ushtria ruse ka deklaruar se ka marrë nën kontroll qytetin gjatë këtij muaji, një pretendim që mohohet nga autoritetet ukrainase.
Një tjetër person u vra pranë Kramatorskut, një qendër strategjike për mbrojtjen ukrainase në rajonin e Donetskut. Zyra e prokurorit lokal bëri të ditur se gjithsej 18 persona mbetën të plagosur nga sulmet në këtë rajon.
Ndërkohë, në rajonin fqinj të Dnipropetrovskut, kreu i administratës ushtarake lokale, Oleksandr Khanza, tha se tre persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas më shumë se 50 sulmeve me dronë dhe artileri në pesë zona të ndryshme.
Dy nga viktimat u regjistruan pranë qytetit Nikopol, i cili ndodhet në brigjet e lumit Dniepër dhe është shpesh objektiv i bombardimeve ruse. Viktima e tretë u raportua pranë fshatit Synelnykove, më në lindje të rajonit.
Ndërkohë, në anën tjetër të kufirit, autoritetet ruse njoftuan se një sulm me dron ukrainas goditi një objekt tregtar në rajonin e Belgorodit, duke lënë një person të vdekur dhe dy të plagosur.
Sulmet e ndërsjella vijnë në një kohë kur luftimet në lindje të Ukrainës vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa të dyja palët raportojnë goditje të vazhdueshme ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës pranë vijave të frontit.
