Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në studion e News24, ka bërë një analizë të situatës politike në vend, duke u ndalur te synimet e qeverisë për reformën e re territoriale, valën e protestave, si dhe goditjet e njëpasnjëshme nga skandalet dhe SPAK.

Duke komentuar lëvizjet e fundit të ekzekutivit për ndarjen e re administrative, Mërtiri u shpreh se qëllimi kryesor i kryeministrit është kontrolli i plotë i pushtetit vendor nëpërmjet centralizimit:

“Rama kërkon të përqendrojë pushtetin vendor në disa duar dhe kërkon më pak bashki, që të ketë më pak njerëz për të kontrolluar më lehtë.”

Mërtiri parashikoi se kriza politike do të intensifikohet ndjeshëm gjatë muajit shtator, për shkak të gjallërimit të Tiranës dhe rikthimit të studentëve, çka do ta bëjë të pamundur menaxhimin e situatës nga ana e qeverisë:

“Mendoj se pjesëmarrja në protestë në shtator do jetë edhe më e madhe, sepse Tirana do jetë më e gjallë, do rikthehen studentët, do jetë e vështirë për t’u menaxhuar nga qeveria. Po ashtu, kjo qeveri nuk rri dot pa skandale dhe në çdo skandal që mund të shpërthejë do sjellë dyndje njerëzish në sheshe.”

Sipas tij, çdo goditje ndaj qeverisë do të shërbejë si një katalizator për rritjen e rezistencës qytetare, por edhe për çarjen e mundshme të radhëve brenda vetë maxhorancës:

“Çdo goditje e qeverisë do sjellë trimërimin e zërave kundër Edi Ramës, dhe pse jo, brenda vetë PS do të dalin zëra që do e kundërshtojnë, që i kemi parë edhe deri më sot.”

Në përfundim, analisti u ndal te roli i SPAK dhe situata e vështirë në të cilën ndodhet ekzekutivi përballë çështjeve të hapura penale:

“Kemi SPAK që ka shumë çështje në hetim dhe do të luftojë një qeveri që ka humbur legjitimitetin; gjithnjë e më e vështirë do të jetë për qeverinë që të mbijetojë.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb