“Furtunë” në komisariatin e Peqinit, pas zbulimit të “shtëpive të barit” në pronën e kreut të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, më 19 mars.

Shtatë punonjës të komisariatit, me detyra komisarë, nënkomisarë dhe inspektorë janë pezulluar për mos përmbushjen e detyrave funksionale.

Masat u bënë prezente nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë paradites së sotme, në një mbledhje të zhvilluar në DPPSH, me gjithë drejtorët vendorë dhe ata të Kufirit.

Hita mësohet se u ka kërkuar prerë të gjithë drejtorëve masa të menjëhershme për të luftuar kultivimin e kanabisit, si dhe qëndrim të rreptë për cilindo punonjës policie që bëhet palë apo nuk përmbush detyrën.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:

Komisar Altin Gusho, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;

Komisar Danjel Kacaniku, me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar Sefer Dushku, me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Inspektor Muharrem Zylyfi, me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar Bilbil Lita, ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;

Komisar Denis Sinani , ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;

Inspektor Arben Koseni, ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.

Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.

Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari”, njofton policia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb