Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij sërish foli për protestat e studentëve.

Rama u shpreh se shteti mund ta vonojë përgjigjen e tij, por se asnjëherë nuk harron.

Akuzoi sërish protestuesit, se janë “sorra dhe korba, që kanë dëmtuar turizmin”. Rama theksoi se do të ketë një hapësirë digjitale për dialog me studentët, që duan të dialogojnë.

Edi Rama: Qeveria nxjerr paratë për studentët nga bizneset e Shqipërisë. Kemi 100 milionë euro për konviktet. Pakti për Universitetin nuk është një premtim elektoral, s’është as premtim në ajër, të atyre që e dinë se nuk bëhen kurrë realitet.

Ne kemi Paktin dhe nëse doni ta rishikojmë këtë Pakt, unë jam në dispozicion. Të gjithë studentëve që vijnë nga vështirësi ekonomike, bursa u bëhet 25 mijë lekë. U shtrihet edhe në nivelin Master. Në ligjin për strehimin, kemi disa nisma si kreditë e buta, me interes zero deri në tre për qind.

Do të hapim dritare digjitale për dialogun. Do u shërbejë atyre që duan të dialogojnë me mua, që kanë frikë. Frikë nga e drejta jote për të folur lirisht. Kjo faqe do të dëgjojë sa më shumë opinione nga studentët. Shqipëria është shumë e vogël për t’u kthyer në arenë sherresh.

Na duhet stabilitet, qetësi dhe vetëm punë, punë, punë, mund, mund, mund, këmbëngulje, këmbëngulje. Zgjatja e protestës për destabilizim dhe hakmarrje nga sorrat e korbat e dëmtoi turizmin dhe uli të ardhurat për qytetarët. Protestat kanë goditur ekonominë, sepse Shqipëria ka pamje këta kohë, që largojnë investitorët dhe paratë nga vendi. Kjo është luftë qorre. Ne jemi këtu me forcën e ligjit. Shteti asnjëherë nuk harron.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: