Shqipëria ndodhet sot përballë kërcënimit më të madh territorial, që prej vitit 1913. Jo nga lufta, as nga presioni ndërkombëtar, por nga brenda: nga një qeveri e dobët, e kapur, që kërkon shpëtim politik nga fqinji ynë jugor, i cili tashmë, pas marrëveshjes së anulluar të 2009, i ka “pazaret” të qarta.
Si arritëm deri këtu?
Shqipëria është ndërtuar mbi një dobësi origjinale, që nuk e kemi pranuar kurrë hapur: kufijtë tanë nuk janë fituar me luftë, por janë caktuar nga të huajt. Konferenca e Ambasadorëve në 1920 me vendimet e saj të padrejta dhe pasojat e tyre të mëvonshme na lanë një shtet të cunguar dhe të pambrojtur politikisht. Kjo shpjegon pse edhe sot ambasadat e huaja në Tiranë kanë ndikim të pazakontë në jetën politike shqiptare: sepse kufijtë tanë janë produkt i diplomacisë së huaj, jo i fuqisë sonë shtetërore. Asistentët e lindjes së shtetit shqiptar ishin ambasadorë, të mbledhur në një konferencë.
Përveç shpëtimit të të gjithë hebrenjve, Shqipëria është gjithashtu një rast unik në Luftën e Dytë Botërore edhe për diçka tjetër: ndërsa gjithë kontinenti humbiste territore, tokat shqiptare administrativisht u bashkuan, duke krijuar për herë të vetme një realitet etnik më afër së vërtetës, dhe kjo gjë gjatë pushtimit dhe nën administrimin e pushtuesve. Pra jo vetëm që nuk kemi ruajtur dot trojet tona, pavarësisht përpjekjeve shekullore, por edhe kur na është shtuar, ajo që na takonte, na e ka shtuar pushtuesi, në 1939 Italia fashiste dhe në dhe 1943 Gjermania naziste.
Si pasojë e këtij fenomeni gjeopolitik, sa i rrallë aq dhe i rëndë, jemi kombi i vetëm në botë, i cili 100% të kufirit tokësor a ka të rrethuar nga popullsi autoktone shqiptare: në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Greqi. Madje edhe kufitari i kufitarit tonë është popull autokton shqiptar, në tre raste – Novi Pazari, Kurshumlija dhe Lugina e Preshevësm, të trija këto në Serbi. Dhe ky shtresëzim vijash kufitare dhe ndërlidhje mes tyre është një pasqyrues i sinqertë i vështirësive dhe dramës me të cilën është detyruar të përballet populli ynë – njëjtë si rrathët e trungut të prerë të një peme dhe nyjet e saj, që tregojnë moshën dhe klimën, në të cilën është rritur ajo pemë.
Thuhet shpesh “historia/fati” deshi, që ne të mos shuhemi kurrë. Por kjo thënie tingëllon paksa abstrakte dhe mjegulluese. Historia e mbijetesës sonë, të paktën në shekullin XX, ka një emër: SHBA e cila u ndodh dy herë në krahun tonë, në dy rastet më kritike:
1. Viti 1920, kur Presidenti Wilson paraqiti 14 pikat në Konferencën e Ambasadorëve, sipas të cilave kufijtë nuk mundet të caktoheshin, duke marrë për bazë politikat e Fuqive të Mëdha, duke i njohur Shqipërisë të drejtën e vetëvendosjes; dhe
2. Viti 1999, kur SHBA ndërhyri ushtarakisht në Kosovë, së bashku me forcat e NATO-s, për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik të popullit shqiptar, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha juridike, diplomatike, politike dhe ushtarake dhe si pasojë u bënë edhe autorë de facto e de jure të pavarësisë së saj.
Të këqinjtë e vetes
Shqipërisë, fatkeqësisht, nuk i kanë munguar asnjëherë udhëheqësit e gatshëm, për t’ia gjymtuar sovranitetin e ndryshuar kufinjtë, sa herë që karriget e tyre janë vënë në rrezik.
Në datën 16 Dhjetor në Athinë, mes Shqipërisë dhe Greqisë pritet të nënshkruhet një marrëveshje, përmbajtja e së cilës ende mbetet mister. Të vetmet sinjale për përmbajtjen e saj, vijnë mga mediat e shtetit fqinj, sipas të cilave, në këtë marrëveshje përfshihet edhe marrëveshja e detit. Flitet se humbasim rreth 40 km katror det, zonë ekonomike të pasur me burime natyrore, gaz dhe naftë (është fatkeqësi e madhe të përdorësh fjalën “flitet” për çështje kaq të rëndësishme). Nëse humbasim këtë hapësirë detare, Shqipëria rrezikon shumë më tepër se 40 km det. Përveç humbjes së të drejtave mbi shelfin kontinental, humbasim zonën ekskluzive ekonomike dhe të gjitha të drejtat mbi burimet natyrore, detare dhe nëntokësore, në Jon – një nga hapësirat më të rëndësishme energjetike të rajon. Kjo marrëveshje, jo vetëm që i heq Shqipërisë rolin, që ka aktualisht në korridorin Adriatiko-Jonian, por thyen edhe besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit shqiptar, duke e futur vendin në kategorinë e shteteve, që nuk janë të afta të mbrojnë kufijtë e tyre. Me pak fjalë, përsëri të paaftë të mbrojmë kufinjtë tanë edhe për shkak të drejtuesve politikë të korruptuar.
Pasoja më e rëndë e kësaj marrëveshje është krijimi i një precedenti juridik të pakthyeshëm. Një firmë e gabuar sot nuk korrigjohet dot më nesër – as nga qeveritë e ardhshme, as nga gjykatat, as nga ndërkombëtarët, përveçse me kosto shumë të lartë. Madje më kujtohet një plak në Kosovë, që po blinte një apartament në Mitrovicë dhe më tha: “Jena msu ne shqiptarët, me i ble tokat tona nga dy-tri herë”. Kjo ndodh sepse shteti shqiptar, për qytetarët e tij, nuk është garant as me ligj, as me pushkë e as me zemër – krejtësisht i çarmatosur. Kjo nuk është metaforë, është realitet. Administrata e sotme nuk është as kombëtare dhe as profesionale. Ajo prodhon dokumente dhe realitete gjeopolitike për të mbuluar dobësitë e saja, jo për të mbrojtur interesat e vendit. Aktualisht, korrupsioni në Shqipëri nuk është gabim individual, por infrastrukturë funksionale e shtetit në nivel industrial. Sovraniteti po gërryhet nga boshatisja demografike, nga dobësia juridike e institucioneve dhe nga një demilitarizim shumë planësh, që ka lënë të zbuluara zonat strategjike.
Nga shiu në breshër: 1920-2025
Qeveria shqiptare, në vitin 2024, në lidhje me çështjen e detit, pajtoi një kompani britanike private e quajtur OMNIS, si konsulente për marrëveshjen në fjalë, që pritet të miratohet në 16 dhjetor 2025. Kjo kompani private e huaj, është vendosur në zemër të procesit, duke hartuar dokumente, që i takojnë dhe që kanë për objekt dhe subjekt vetëm interesat e shtetit shqiptar dhe qytetarët e saj. Asnjë shtet serioz nuk do ta lejonte këtë, aq më pak ta përfshinte me dëshirë dhe ta paguante me një çmim goxha të kripur: 3 milionë euro. Asnjë komb, që e çmon veten, nuk delegon çështjen e territorit te një firmë private, për shkaqe edhe të lidhjeve personale dhe ideologjiko-politike të pronares së kompanisë (bashkëshortes së Tony Blair) me kryeministrin shqiptar.
Në konferencën e vitit 1920, me të vërtetë vendosën ambasadorët, por në parim ambasadori është përfaqësuesi më i lartë i një shteti jashtë vendit, realizon ndërmjetësime politike, promovon marrëdhënie strategjike dhe ka përgjegjësi të plotë para ligjit, pasi konsiderohet komandanti në vijën e parë të ‘llogoreve’ diplomatike. Po tani, pas 105 vitesh, kë dhe çfarë përfaqëson kompania OMNIS? Kjo kompani, nga karakteristikat e faktorëve që ndikuan në vendimarrje në 1920, nuk ka as karakteristikën më themelore: atë të përgjegjësisë para shtetit të vet, Britanisë. Kjo kompani është përzgjedhur edhe pa një procedurë të rregullt, siç e parashikon ligji shqiptar. Si për t’i shtuar plagës edhe ofendimin, kemi analistë, që mund të thonë, se është një “qokë strategjike”, por e vërteta është e thjeshtë: OMNIS në fund të ditës mbron interesat e saj financiare dhe interesat kombëtare shqiptare i trajton si mall në shitje. Nuk është garant, nuk është aleat zyrtar, nuk është mburojë, por është një kompani që operon me pagesë, aty ku shteti shqiptar është i dobët. Dhe Shqipëria sot është pikërisht në këtë pikë – në pozitën e një shteti që nuk ekziston dhe që kërkon të vetëzëvendësohet nga aktorë, që nuk mbajnë përgjegjësi para askujt.
Në këtë gjendje, çfarë duhet bërë, nuk është më çështje partie apo retorike. Çdo kompani e huaj, përfshi OMNIS, duhet të largohet nga procesi. Territori nuk është projekt konsulence e as prokurim shërbimi. Është themeli i një shteti dhe nuk mund të trajtohet si dosje teknike apo si produkt privat. Marrëveshja është çështje mbijetese kombëtare dhe shtetërore. Procesi i firmosjes duhet ndalur menjëherë, sepse Shqipëria nuk ka as vijat bazë të standardizuara, as hartën detare zyrtare, as një ekip të unifikuar negociator, as kapacitet për t’u përballur juridikisht në gjykatat ndërkombëtare. Të vijosh me negociata në këto kushte në nivel ministror vetëm për faktin se ke ministër, i ngjan shkuarjes në luftë me një pushkë por duke harruar qëllimisht fishekët në shtëpi.
Në rastin më të mirë, ky është akt i papërgjegjshmërisë kombëtare dhe në skenarin më të keq, mund të radhisim disa lloj tradhëtish.
Çdo dokument, hartë, draft, analizë apo raport duhet të bëhet publik. Transparenca nuk është luks; është mjet mbijetese. Dokumentet që janë të mira për interesat shqiptare, nuk ka pse t’i fshihen sqiptarëve. Ato që fshihen, zakonisht mbajnë erë tradhëti. Krahas kësaj, Shqipëria duhet të ndërtojë urgjentisht një Task-Force Kombëtare me juristë të së drejtës së detit, gjeografë detarë, ekspertë të NATO-s dhe analistë të sigurisë. Pa militantë, pa njerëz të partive, pa sekserë – vetëm profesionistë. Një faktor i rëndësishëm është edhe aktivizimi i diasporës dhe i gjithë ekspertëve shqiptarë jashtë vendit: akademikë, ushtarakë të dalë në pension, diplomatë, profesionistë të fushave strategjike dhe specialistë dashamirës të huaj, që vijnë nga shtetet e vërtetë partnere, të cilat kanë përvojë në këtë fushë. Në fund, shteti duhet të formulojë një narrativë të qartë, pa dyshime, pa ekuivokë dhe transparent ndaj popullit të tij, si detyrim ligjor dhe moral.
Për të ndaluar këtë gjëmë, ne shqiptarët duhet të reagojmë në të gjitha format dhë mënyrat e mundshme dhe efikase. Reagimi duhet të jetë i përditshëm, i artikuluar dhe i qëndrueshëm, sepse shteti i i dobësuar nuk mbron dot territore, dhe as qeveria e kapur nuk i mbron dot e aq më pak kompanitë e huaja, që mbrojnë vetëm financat e tyre.
Po hyjmë në një moment, që do të shkruhet në histori ose si dita kur Shqipëria mbrojti të drejtën e saj, ose si dita kur ajo humbi përgjithmonë një pjesë të rëndësishme të territorit të saj detar. Vendimi nuk është vetëm i qeverisë. Vendimi në rradhë të parë është i popullit, që lejon ose jo t’i merret territori. Kur qeveria nxjerr në treg interesat kombëtare, zgjidhja e vetme mbetet rrëzimi i qeverisë me referendum ose përmes leximit, kuptimit dhe zbatimit të asaj që përmban Amendamenti II i kushtetutës amerikane.
“Ai popull që fle, nuk meriton as të zgjohet”
-Populli-
