TIRANE- Numri i përgjithshëm i punonjësve për Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, për vitin 2017 e në vazhdim do të jetë 90 vetë, nga 58 vetë që është aktualisht. Gjithçka përcaktohet në strukturën e re të QKUM-së, e cila është miratuar në qeveri dhe tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare. Nëse e krahasojmë me organikën e vjetër, ajo që bie në sy është një shtim i numrit të përgjithshëm të mjekëve dhe infermierëve në Sektorin e Njësisë së Koordinimit të Urgjencave, i cili tashmë do të përbëhet nga 15 mjekë, 24 infermierë, 1 përgjegjës sektori dhe 1 kryeinfermier.

Ndërkaq, sipas vendimit të ri, pjesë e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore është Njësia e Koordinimit të Urgjencave Mjekësore, e cila bën komandimin dhe koordinimin e Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter dhe Shërbimit të Urgjencave Mjekësore.

“Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore është përgjegjëse për trajnimin e personelit mjekësor dhe paramedikal në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, sipas standardeve kombëtare e ndërkombëtare. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore bashkëpunon me organizata të tjera kombëtare ose ndërkombëtare, të autorizuara ose të certifikuara nga institucionet përkatëse në Shqipëri apo në vende të tjera, për kryerjen e trajnimit në fushën e urgjencës mjekësore. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore lidh marrëveshje me institucionet e arsimit të lartë, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe me institucione të kujdesit shëndetësor”, – thuhet ndër të tjera në vendim.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: