Shtyhet seanca në GJKKO ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Gazetarja Klodiana Lala raporton se seanca e radhës do të mbahet në datën 24 mars në orën 14:30.
Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancën e parë të themelit sepse pretendon se nuk ka kaluar fazën paraprake dhe nuk mund të paraqitet. Avokatja e caktuar kryesisht, pasi Veliaj nuk ka sjellë avokat të pajisur me prokurë, ka kërkuar të marrë në dorëzim dosjet. Kjo ka qenë edhe arsyeja e shtyrjes së seancës.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e Erion Veliajt për vendosjen në dispozicion të akteve hetimore, një kërkesë kjo e hershme e kryebashkiakut. Treshja e gjyqtarëve të themelit i dha të drejtë kërkesave të Veliajt, duke rrëzuar gjyqtaren Etleva Deda dhe Gjykatën e Apelit, që nuk e konsideruan të drejtë njohjen e kryebashkiakut me aktet.
I pranishëm në sallë ishte dhe prokurori i SPAK, Ols Dado.
“Ne nuk kemi bërë seanca paraprake, nuk na janë dhënë të gjitha dokumentet. I mbrojturi prej meje duhet të njihet me materialet e çështjes. Unë kam patur dy herë kontakte me të mbrojturin prej meje. Herën e dyte ishte me serum. Ti jepen 65 mijë faqet. Herën tjetër qëndruam vetëm një orë në bisedë për ccështjen”, tha avokatja Valentina Teodoresku.
Sakaq, në sallë nuk është e pranishme bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ndërsa në gjyq janë avokatët Maksim Haxhiaj dhe Dritan Jahaj.
“Klientja jonë është në pamundësi për t’u paraqitur për shkak të gjendjes së saj, pasi është shtatzënë. Ja ka ndaluar mjeku të lëvizë”, mësohet të jetë shprehur avokati.
