Mirel Mertiri dhe partnerja e tij Stela Gugallja të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorit të Elbasanit ndodhen në Austri.
Kjo është përgjigja që Interpol Tirana i ktheu gjykatës se posaçme e cila kërkoi informacion për dy të pandehurit.
Për Mertirin e Gugallen konfirmohet se Ministria e Drejtësisë ka dërguar kërkesë për ekstradim, por deri në datën 5 prill nuk ka pasur përgjigje nëse është pranuar apo refuzuar.
Ndërsa për Klodian Zoton Interpol deklaroi se nuk ka asnjë informacion.
Gjykata e Posaçme e shtyu edhe këtë të premte seancën për të pandehurit pasi policia nuk gjente dot adresën e të pandehurës Jonida Zeqo ndonëse ajo është ne arrest shtëpie. Seanca e radhës u vendos të mbahet me datë 20 prill.
Për aferën e inceneratorit të Elbasanit janë nën akuzë 10 të pandehur mes të cilëve edhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish deputeti socialist Alqi Bllako.
