Gjykata e Posaçme ka shtyrë sot seancën sa i përket dosjes “Partizani” ndaj Sali Berishës, Jamambër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Në një prononcim për mediat, Begeja u shpreh se pronat sot po grabiten me VKM e jo me ligj.
“Nëse dënohem me burgim të përjetshëm për pronën time, zëre se do të jem i pushkatuar, do të jem i katërti në familjen tim. Edhe nëse do të dënohem me burg do të jem krenar se do të jem i 7 nga oborri i familjes sime që u dënua për pronën në atë sistem. Të paktën po dënohem për pronën time jo për “5D”.
Pronat po na i marrin me VKM jo me ligje, dhe ne që jemi pronarë e kemi 63 mijë toka, dhe as jemi kompensuar as me 10 përqind. Ky është turp që të gjithë ata që kanë prona duhet të luftojnë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Do të jenë shumë vonë”, tha ai.
Xhimi Begeja, një prej aksionarëve të kompanisë “Homeplan sh.p.k.”, së bashku me Jamarbër Malltezin dhe Fatmir Bektashin, është përballur me akuza për pastrim parash në të njëjtën çështje me ortakët e tij dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
