PARIS– “Turp” “Letargji e turpshme”, “Evropa duhet të reagojë”, shtypi evropian dënoi sot pafuqinë e Bashkimit Evropian përballë dramave të imigracionit duke kërkuar mobilizim pas tragjedisë tjetër që ka shkaktuar qindra të zhdukur në brigjet e Libisë.

Të përditshmet ”Liberation” (e majtë) apo ”Figaro” (e djathtë) në Francë, ”Le Soir” në Belgjikë shprehën keqardhje në unison për një ”dështim evropian” për pamundësitë e Kontinentit të Vjetër për t’iu përgjigjur fluksit të refugjatëve duke rrezikuar jetën e tyre në Mesdhe për të mbërritur në brigjet e tij.

“Nëse konsiderojmë se vlerat tona humanitare janë ide të vdekura, indiferenca nuk është një mundësi (…) Sa kohë do të duhet për të nxjerrë nga uji viktimat, që kjo tragjedi humanitare të konsiderohet si një urgjencë historike absolute?, shkruan e përditshmja popullore franceze, ”Le Parisien”.

“Vdekjet duhet të marrin fund”, shkruan tabloidi ”Kronen-Zeitung”, e përditshmja e parë austriake që dënon BE-në dhe politikën e saj cinike për azil dhe madje makabër.

“Tashmë, Evropa duhet të reagojë”, theksoi në Stokholm e përditshmja ”Svenska Dagbladet”, duke e gjykuar dëshpëruese që BE-ja nuk mund të menaxhojë krizën e imigrantëve dhe lejon Mesdheun të transformohet në një varrezë të shëmtuar.

“Evropa ndodhet përballë rrezikut për më shumë të vdekur në portat e saj nëse ajo nuk e shikon këtë tragjedi si prioritetin numër një”, theksoi e përditshmja britanike ”The Independent”.

E përditshmja ”Daily Telegraph” e gjykon të padrejtë të lësh Evropën jugore të mbajë barrën e të mbërriturve, veçanërisht kur imigrantët janë të tërhequr drejt rajoneve më me prosperitet të veriut të kontinentit.

”Qeveritë evropiane duhet të dalin nga letargjia e tyre e turpshme”, shkruan e përditshmja ”Liberation” duke u shprehur për një Evropë më mbrojtëse, jo një Evropë të rreptë, paralizuar nga një politikë ekonomike shtrënguese dhe rritja e populizmit.

”Duke treguar rrugën për një zgjidhje ndërkombëtare të këtij problemi, Evropa mund të rritet politikisht”, thekson ajo.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: