Seanca gjyqësore e datës 1 prill për çështjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për shkak të mungesës së një prej avokatëve në proces, për arsye shëndetësore.
Në një deklaratë për mediat, mbrojtja e Veliajt bëri të ditur se shtyrja nuk lidhet me qëndrimin e tij apo të ekipit mbrojtës, por me pamundësinë e pjesëmarrjes së një prej përfaqësuesve ligjorë në seancë.
Avokati Plarent Ndreca njoftoi gjithashtu nisjen e një praktike të re komunikimi pas çdo seance gjyqësore, me qëllim garantimin e një informimi të plotë, të saktë dhe transparent për opinionin publik mbi zhvillimet e procesit.
Në deklaratë, mbrojtja shprehu shqetësim për, sipas saj, një qasje të përfaqësuesve të akuzës që synon përshpejtimin e procesit në mënyrë të pajustifikuar. Sipas tyre, ky nxitim ka sjellë më herët edhe humbjen e një shkalle gjyqësore, në kundërshtim me parimet kushtetuese.
“Barazia e armëve ndërmjet palëve nuk është një formalitet, por një kusht thelbësor për realizimin e drejtësisë”, theksohet në deklaratë, ku kërkohet që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet kushtetuese dhe profesionale.
Mbrojtja nënvizoi përmasat e mëdha të dosjes, e cila përmban rreth 60 mijë faqe, ndërsa në proces janë të përfshirë 30 të pandehur. Sipas saj, kërkesa për gjykim përfshin mbi 1,000 prova dhe rreth 190 dëshmitarë, çka e bën të domosdoshëm një shqyrtim të thelluar dhe jo të përshpejtuar.
Gjithashtu, u theksua se praktikat e Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut sugjerojnë kufizime në përpunimin ditor të materialeve voluminoze, duke e bërë të pamundur analizën cilësore të një dosjeje të tillë në kushte nxitimi.
Sipas mbrojtjes, procesi ndaj Veliajt nuk është vetëm një çështje individuale, por ka interes të drejtpërdrejtë publik, duke qenë se lidhet me funksionin e tij si kryebashkiak dhe me të drejtën e qytetarëve për të njohur të vërtetën.
Deklarata e plotë:
Mbi seancën gjyqësore të datës 01.04.2026
Të nderuar përfaqësues të medias,
Duke konstatuar se transmetimi i zhvillimeve lidhur me çështjen Veliaj nuk ka qenë gjithmonë i plotë, i saktë dhe i njëtrajtshëm në të gjitha mediat, kemi vendosur të vendosim një praktikë të rregullt komunikimi pas çdo seance gjyqësore. Qëllimi i kësaj praktike është të garantojë një informim të drejtë, të balancuar dhe transparent të opinionit publik mbi zhvillimet e procesit dhe qëndrimet e mbrojtjes.
Sa i takon seancës së datës së sotme, ajo u shty jo për shkak të z. Veliaj apo mbrojtjes së tij, por për shkak të mungesës, për arsye shëndetësore, të një prej avokatëve të tjerë në proces.
Njëkohësisht, në këtë seancë, ashtu si edhe në atë pararendëse, konstatojmë me shqetësim një qasje të përfaqësuesve të akuzës për të ushtruar një trysni të pajustifikuar, me qëllim vijimin me nxitim të një procesi që ka humbur tashmë një shkallë gjyqësore, pikërisht si pasojë e këtij nxitimi dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese në fazën paraprake.
Pavarësisht se jemi palë kundërshtare në këtë proces, ne presim nga përfaqësuesit e akuzës të ushtrojnë funksionin e tyre në bashkëpunim me mbrojtjen dhe gjykatën, në përputhje me standardet kushtetuese, konventore dhe profesionale, që lidhen me garantimin e të drejtave dhe lirive themelore.
Sa i përket mbrojtjes, ne udhëhiqemi nga vetë arsyeja për të cilën ekziston profesioni i avokatit: mbrojtja pa kompromis e të drejtave kushtetuese, konventore, proceduriale dhe ligjore të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.
Ky mision merr një dimension të veçantë në rastin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili, si çdo qytetar, ka të drejtën për një mbrojtje të plotë dhe efektive, por njëkohësisht, edhe pse në kushte të vështira, do të ushtrojë përgjegjësinë e tij publike ndaj qytetarëve që e kanë votuar, për të nxjerrë të vërtetën në pah. Në këtë kuptim, mbrojtja e z. Veliaj nuk është vetëm një çështje individuale, por një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik, që lidhet me të drejtën e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për të njohur të vërtetën.
Ne kemi vendosmërinë e plotë për ta zhvilluar këtë proces në mënyrën më profesionale të mundshme, në respekt të të gjitha palëve, duke garantuar një mbrojtje kushtetuese, serioze dhe transparente përpara publikut.
Barazia e armëve ndërmjet palëve nuk është një formalitet dhe as një çështje dytësore, por një kusht thelbësor kushtetues për realizimin e drejtësisë.
Për të kuptuar dimensionin real të kësaj çështjeje, po paraqesim disa të dhëna konkrete:
• Dosja përmban rreth 60,000 faqe;
• Në proces janë 30 të pandehur;
• Në këtë volum nuk përfshihen aktet e seancës paraprake, ku vetëm kërkesa për gjykim e prokurorisë është rreth 565 faqe (e vënë në dispozicion të mbrojtjes vetëm dje);
• Kërkesa për gjykim referon për shqyrtim 1,078 prova dhe 190 dëshmitarë;
• Vetëm vendimi i gjykatës së seancës paraprake është rreth 650 faqe.
Këto shifra nuk përfaqësojnë përmbajtjen e analizuar, por vetëm volumet formale të akteve. Një dosje e këtij dimensioni kërkon studim të thelluar, analizë, ballafaqim dhe përgatitje profesionale, procese që nuk mund të realizohen në kushte nxitimi. Për ilustrim, standardet e praktikës së GJEDNJ sugjerojnë se një profesionist nuk mund të përpunojë në mënyrë cilësore më shumë se rreth 180 faqe në ditë.
Imagjinoni për një moment një material hetimor prej 60,000 faqesh që nuk është një vepër letrare e cila lexohet për kënaqësi, por një proces kompleks juridik, ku çdo faqe kërkon verifikim, analizë dhe vlerësim, dhe mbi të cilin varet jo vetëm fati i një individi, por edhe përgjegjësia publike e Kryetarit të Bashkisë së qytetit më të madh në vend.
Nxitimi i kërkuar nga përfaqësuesit e akuzës nuk i shërben drejtësisë. Ai vetëm ekspozon qëllime që nuk lidhen me një proces të rregullt gjyqësor dhe njëkohësisht, vendos në vështirësi edhe gjykatën, e cila ligjërisht prezumohet se vendimmarrjen e saj e mbështet mbi njohjen e plotë dhe të thelluar të dosjes gjyqësore.
Ne do të vijojmë të bëjmë publike çdo kërkesë dhe çdo shkresë që i drejtojmë gjykatës, në mënyrë që opinioni publik në emër të të cilit jepet drejtësia, të jetë i informuar në mënyrë të plotë, të saktë dhe të drejtë.
Faleminderit.
Mbrojtësi i z. Veliaj
Av. Plarent Ndreca
