Presidenti Bajram Begaj, shprehu sot ngushëllime për ndarjen nga jeta të regjisorit të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Në një postim në rjetet sociale, Begaj shkruan se shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti  i madh i  regjisorit të madh.

“Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll.
Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti!
Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, – u shpreh Presidenti Begaj.

Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kino-operator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.

Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Hemingway-t, që u vlerësua me “Çmimin e Parë” në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Hollandë (1961).

Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).
Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10 të Filmit Artistik Shqiptar.

Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike.

Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011).

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb