Këngëtarja Tina Turner ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 83-vjeçare.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i saj, i cili në një deklaratë ka bërë me dije se arsyeja e vdekjes ka qenë një sëmundje nga e cila vuante për një kohë të gjatë.

“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Roll’-it ka vdekur sot e qetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Cyrihut, Zvicër.
Me të, bota humbet një legjendë muzikore dhe një model”, thuhej në deklaratë.

Ylli i lindur në SHBA ishte një nga këngëtaret më të dashura të rrokut, e njohur për karizmën e saj në skenë dhe një numër të madh hitesh, duke përfshirë “The Best”, “Proud Mary”, “Private Dancer” dhe “What’s Love Got to Do With It”.

Ajo mori famë për herë të parë në vitet 1960 së bashku me ish-bashkëshortin Ike Turner, me këngën klasike River Deep, Mountain High.

Turner ka pasur një sërë problemesh shëndetësore viteve të fundit, përfshirë edhe kancer, një sulm në zemër dhe probleme me veshka.

Në një intervistë të dhënë më 2018, ajo ka thënë: “Njerëzit mendojnë se jeta ime ka qenë e vështirë, mirëpo unë mendoj që kam pasur rrugëtim të mrekullueshëm. Me kalimin e viteve e kupton se nuk është e rëndësishme çfarë të ka ndodhur, por si e ke menaxhuar situatën”.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka fituar tetë çmime Grammy dhe është futur në Rock ‘n’ Roll Hall of Fame më 2021 si solo këngëtare, pasi paraprakisht kishte qenë e përfshirë së bashku me Ike-n më 1991.

Hall of Fame kishte thënë se Turner “zgjeroi idenë, dikur të kufizuar, se si një grua me ngjyrë mund të pushtonte një skenë dhe të ishte një person i fuqishëm dhe shumëdimensional”.

Këngëtarët e rinj që kanë thënë se janë inspiruar nga Turner përfshijnë edhe Beyonce, Janet Jackson, Janelle Monae dhe Rihanna.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: