SHKODER –Shuhet në moshën 82-vjeçare bilbili i muzikës popullore qytetare, Naile Hoxha. Këngëtarja me zërin e magjishëm u nda nga jeta në azilin e të moshuarve në Shkodër, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës.
Naile Hoxha ishte një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun, interpretuese e dhjetëra këngëve që në moshën 13-vjeçare kur hodhi hapat e parë të karrierës. Disa nga këngët që janë ngulitur në zemrat e shqiptarëve mund të përmendim: “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj.
Naile Hoxha ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe një ndër këngëtaret e preferuara të regjimit të asaj kohe.
Homazhet në nderim të këngëtares do të zhvillohen të martën nga ora 11:00 deri në 13:00 në Bashkinë e Shkodrës.
Biografia
Naile Hoxha “Artiste e Merituar”, lindi në Shkodër më 31 Dhjetor 1934. Filloi të këndonte në një moshë të vogël me babain e saj. Shumë shpejt ajo u bë pjesë e një grupi të njohur artistësh si: Lucie Miloti, Bik Ndoja, Ibrahim Tukici, Xhevdet Hafizi.
Mori pjesë në koncerte të ndryshme në Shkodër, si dhe në Radio Shkodra ku regjistroi edhe këngët e saj të para. Rreth 4-5 vitë më vonë, në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen e saj të sapo krijuar, transferohet në Tirane ku fillon e këndon në atë kohë me Estradën e Tiranës dhe ma pas në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ka interpretuar shumë kënge popullore, si “Djalë i dashtun” “Xhamadani Kuq si Gjaku”, “Moj e Mira Synin Larush”, “Seç po Fryn nji Fllad Prandvere” “Ani moj Hatixhe” “Oj Zog-o” e shumë e shumë këngë të tjera.
Ajo u nderua me titullin “Artiste e Merituar” rreth viteve 1973-74. Gjithashtu në vitin 2012 në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, u nderua me Certifikatë “Mirënjohje” nga Prefektura Shkodër.
“Kanga popullore ka kenë arma ma e mirë në duert e mia si artiste. Kangën e kam këndue me shpirt e zemër për me kënaqe tanë dashamiret e saj!”- është shprehur ajo.
Interpretimi i saj i fundit live do përmendet në Maj të vitit 2015, si e ftuar nderi në koncertin e këngëtares Albana Fani, ku Naile Hoxha këndoi “Djalë i dashtun”.
(er.nu/BalkanWeb)
