Është ndarë nga jeta për shkak të një sëmundjeje të rëndë, pitkroi i njohur Pandi Mele. Galeria Kombëtare e Arteve ka shprehur keqardhjen për këtë humbje, dhe ka bërë me dije se artisti u shua pak ditë më parë në Sh.B.A në moshën 76 vjeçare.

Artisti, i cili la një trashëgimi të çmuar në historinë e artit pamor shqiptar, lindi në vitin 1939 në Korçë. Ndoqi Liceun Artistik në Tiranë për picture, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina (Koljaka) Hoshi. Studioi dy vite për grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg (Rusi) në ateljenë e S. M. Vasiljeviç dhe u diplomua në Tiranë në vitin 1964. Pandi Mele ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i grafikës në Ish- Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës.

Ekspozoi për herë të parë në moshën 17 vjeçare “Porteti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë). Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i partisë” 1984; cikli “Rozafa”, 1999, studio artistit). Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli, duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhëndje në dru).

Me veprën e tij Pandi Mele ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj. Piktori Pandi Mele është autor i shumë posterave, emblemave, pulla postare, apo ilustrime të ndryshme nga shkrimtarët shqiptarë. Në pikturë ai ka realizuar tablo kompozicionale me temën e jetës shqiptare të periudhës së socializmit.

Mele ka qënë pjesëmarrës në ekspozitat jashtë Shqipërisë deri në vitet 1990, si Greqi, Kosovë, Jugosllavi, Rumani, Turqi, Itali, Francë, Austri, Bienale – Egjypt, Kinë. Mele ishte i ftuar në Bienalet dhe Trienalet Ndërkombëtare të grafikës nga viti 1989 – 1999 në Europë dhe Lindjen e Largët. Ai është gjithashtu autor i shumë artikujve në shtypin e kohës mbi zhvillimin e grafikës, dizajnit dhe artve figurative shqiptare. Në fondin e Galerisë Kombëtare të arteve ruhet një koleksion prej 54 veprash në pikturë, grafikë e vizatim. Pandi Mele mban titullin “Piktor i Merituar”.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: