Analisti Genc Burimi ka komentuar nismën e Partia Socialiste për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale lidhur me çështjen e pezullimeve nga detyra, duke e cilësuar atë si një lëvizje që synon t’i vështirësojë punën drejtësisë. Në një komunikim me News24, Burimi u ndal te iniciativa e kryeministrit Edi Rama për të korrigjuar nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, duke argumentuar se ndryshimi synon të parandalojë pezullimin e tij apo të anëtarëve të qeverisë nga detyra.
“Kur u arrestua Tahiri nuk pati nevojë për nenin 242. As kur u kërkua arrestimi i Ahmetajt dhe as kur u arrestua Berisha. Rama mendon se duke bërë këtë ndryshim, nëse vihet vetë nën hetim, do t’ia vështirësojë punën drejtësisë”, u shpreh ai. Sipas Burimit, drejtësia ka dy kanale veprimi: një përmes Parlamentit, që është kërkesa për heqjen e imunitetit dhe më pas vendosja e masave kufizuese, dhe një të dytë, më të rrallë, përmes pezullimit nga funksionet qeveritare sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, si në rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ai theksoi se ky mekanizëm i dytë ishte një avantazh për Prokurorinë, që sipas tij po mbyllet nga ndryshimet e propozuara. “Rama po tregon muskujt në erë. Mund të bëjë ç’të dojë, por e kam me drejtësinë”, deklaroi Burimi.
Analisti krahasoi situatën me Italinë, ku sipas tij gjyqësori po reagon ndaj reformës në drejtësi të ndërmarrë nga kryeministrja Giorgia Meloni, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, drejtësia po hesht. “Kjo drejtësi nuk po flet dhe kjo më habit. Ngricë është heshtja e drejtësisë. Ose po mbyllet tuneli i parë dhe po pret të dytin, rrugën e heqjes së imunitetit në Parlament. Ndryshimet që po bën Rama nuk më shqetësojnë, po pres drejtësinë”, përfundoi ai.
Burimi: Rama po korrigjon atë nenin 242 të Procedurës Penale për të thënë se nuk mund të pezullohet ai dhe as ata. Ku është problemi? Kur u arrestua Tahiri, a pati nevojë për nenin 242? Kur u kërkua arrestimi i Ahmetajt, a pati nevojë për këtë nen? As kur u arrestua Berisha. Ai mendon se duke bërë këtë, nëse ai vetë vihet nën hetim, t’ia vështirësojë punën drejtësisë. Drejtësia paska dy kanale veprimi: një përmes Parlamentit, kryesori, që është kërkesa për heqjen e imunitetit dhe më pas vendosja e masave kufizuese. Ky kanal është përdorur 3–4 herë.
Kanali i dytë, më i rrallë, është ai për zonjën Balluku: pezullimi nga funksionet qeveritare përmes nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale. Ky ishte një avantazh për Prokurorinë, që po e mbyll Rama. Zonja Balluku në një moment do të dorëzohet. Ai është në luftë ndërkombëtare me ndërkombëtarët. Shumë luftë për asgjë. Rama po tregon muskujt në erë. Ai mund të bëjë ç’të dojë, por unë e kam me drejtësinë. Në Itali, gjyqësori po flet për reformën në drejtësi që po bën Meloni. Por drejtësia jonë nuk po flet. Kjo do të thotë se është ende në varësi. Çfarë i mungon sot? Kjo drejtësi nuk po flet dhe kjo më habit. “Bebja” s’po qan. Ngricë është heshtja e drejtësisë. Ose po mbyllet tuneli i parë dhe po pret të dytin, rrugën e heqjes së imunitetit në Parlament. Ndryshimet që po bën Rama nuk më shqetësojnë, po pres drejtësinë.
