Nga Anila Jole

Ulem përballë televizorit për të ndjekur Festivalin e Këngës në RTSH. Gjithmonë më shtyn nostalgjia për kohët kur në skenë ngjiteshin divët e muzikës dhe krijuesit më në zë, e çdo vit zhgënjehem nga ajo që shoh.

Nuk jam kritike muzike, por një shikuese besnike e Festivalit, një gazetare, që mundem të vlerësoj një krijim muzikor, një pikturë apo një libër.

Duke mos dashur të bëhem negative e të komentoj skenografinë, skenarin, prezantimin, apo shumë krijime e interpretime të natës së parë, zgjedh të përgëzoj nga zemra vëllezërit korçarë, Stefi dhe Endri Prifti.

Për mendimin tim ishin paraqitja me cilësore dhe më dinjitoze në Festival. Jo duke u krahasuar me këngët e tjera të tij të natës së parë, por me krijimet më cilësore që janë prezantuar ndër vite në atë skenë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Stefi dhe Endri Prifti me intepretimin e tyre i dhanë shpirt poezisë së Zhuliana Jorganxhiut dhe muzikës së Jetmir Barbullushit, duke e ngritur këngën shumë lart.

Edhe pse e kisha dëgjuar disa herë “Triumfin e jetës”, mbrëmë mora një emocion të ri. Tema aq aktuale dhe muzika e një balade prekëse dhe shpresëdhënëse, do ta bëjnë këngën të paharrueshme, edhe nëse jo fituese të këtij Festivali (tashmë shumëkush e di mekanizmin e vlerësimit).

Nuk dua të harroj shoqërimin e këngëve nga orkestra profesioniste e Radio-Televizionit Shqiptar, nga të paktat asete që është trashëguar në vite dhe që i jep peshë Festivalit, i cili fatkeqësisht degradon çdo vit e më tepër.

Edhe një herë shume urime Endri dhe Stefi!
Ju triumfuat vërtet!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb