Kualifikimi i kombëtares shqiptare U17 në turin e dytë të një turneu të UEFA-s ishte kthyer në një makth të mirëfilltë prej shumë vitesh, pasi përfaqësuesja kuqezi i jepte lamtumirën gjithmonë aktiviteteve që në ndeshjet e para të saj. Një seri që ka marrë fund në këtë sezon, me skuadrën e drejtuar nga Ervin Bulku e cila tashmë mund të festojë qetësisht pjesëmarrjen në Elite Round.

Shqipëria U17 u rendit e treta në grupin e saj kualifikues, me dy vendet e para që kalonin automatikisht në turin tjetër. Por fakti që i kishte marrë pikë Uellsit që u rendit në vendin e parë, në një barazim pa gola, bëri që kuqezinjtë e vegjël të sigurojnë një nga vendet që formula e kampionatit garanton duke marrë për bazë te tretat më të mira të të gjitha grupeve kualifikuese.

Edhe pse nuk kanë përfunduar ende tre grupe kualifikuese, tanimë Shqipëria ka sigurinë matematike se do të jetë mes skuadrave të kualifikuara në turin tjetër, që zhvillohet zakonisht në muajt mars dhe prill.

Për herë të fundit, përfaqësuesja U17 ishte kualifikuar në Elite Round në vitin 2013, kur skuadra e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç dhe që kishte në përbërje emra si Keidi Bare, Elhan Kastrati, Ardit Toli apo Ardit Deliu, siguroi kalimin në raundin tjetër të turneut.

“Kualifikimi i kombetares se 17 vjecareve nje tjeter sukses historik i futbollit Shqiptar ne kete vit 2022.

Sukses i merituar i djemeve te talentuar te Kombëtares 17 vjeҫare të drejtuar nga Ervin Bulku, që arritën në Elite Round të Europianit 2023.

Një arritje e rëndësishme duke parë që kuqezinjtë e vegjël përballeshin me emra të mëdhenj të futbollit europian si Suedia, Uellsi dhe Kroacia. Tre ndeshje shumë positive që konfirmojnë edhe njëherë rritjen e futbollit shqiptar dhe vijimësinë e një pune intensive shumë vjeҫare që po bëhet me futbollin e moshave.

Vitin e ardhshëm i presim 3 finale të mëdha për të cilat unë jam besimplotë se do të dhurojnë paraqitje shumë të mira e do të nderojnë fanellën kuqezi. Shumë urime ҫuna! “ – Ishte urimi i Presidentit të FSHF, Armand Duka në rrjetet sociale.

(BalkanWeb)

 

 

 

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb