TIRANE- Mark Frroku po e shlyen masën e dënimit me arrest shtëpie në një prej banesave të tij në rrugën që mban emrin e vëllait të tij, Leonard Frroku, në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Vëllai i tij ka ndërruar jetë në një aksident rrugor të ndodhur më 20 gusht të vitit 2006. Ai përmendet në relacionin që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Kuvendit për arrstimin e Mark Frrokut për vrasjen e Aleksandër Kurtit më 5 mars të vitit 1999 në Bruksel.
“Marku me vëllezërit e tij, Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tri prostituta që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen “Frroku”. Viktima me origjinë nga Shkodra është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtatases L. Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja L. i ka telefonuar tutorit të saj, Nardi (frroku alias Shkurt Lasku) i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllain Dritan (Besnik Morina). Dritani e fton t’i ngrejnë kurth viktimës në “Garde du Midi”. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër Kurtin dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar nuk është L., e cila e prêt viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin.”
Pavarësisht kësaj, Leonard Frroku ka tashmë një rrugë që mban emrin e tij. Por për çfarë arsyeje është dashur t’i vihet një rruge në Tiranë ky emër? Nga kush u propozua? Ndryshimi i emrit të rrugës “Nexho Konomi” në “Leonard Frroku” u propozua nga Këshilli i Njësisë Bashkiake Nr. 6, njësi që drejtohet nga socialisti Krenar Cenollari. . Në relacionin që ky këshilli i drejton Këshillit Bashkiak të Tiranës më datën 27 prill të vitit 2012 thuhet se Leonard Frroku i datëlindjes 1974 “ka kontribuar në rritjen e mirëqënies së komunitetit ku ka jetuar” ( rruga që sot mban emrin e tij ) dhe se një prej veprave të tij si biznesmen “është rruga tek Unaza e Re, në Tiranë, e cila u financua prej tij”.
(BalkanWeb)
