Ka nisur mbledhja e Këshillit të Imuniteteve ku pritet të merret një vendim në lidhje me mandatin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
Gazetari Ergys Gjençaj raporton se kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimin për zvarritjen për më shumë se 2 muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren” – është shprehur Bardhi.
Gjithashtu, Gazment Bardhi ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit që mbledhja të jetë e hapur dhe media të lejohet ta ndjekë atë. Duke respektuar kërkesën e prokurorisë për të ruajtur sekretin hetimor, mendoj se mbledhja duhet të jetë e hapur dhe vetëm për raste kur prokurori dëshiron të ndajë me Këshillin një të dhënë që përbën sekret hetimor, të vendoset që dhënia e atij informacioni të bëhet me dyer të mbyllura.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim. Nuk mund t’i fshiheni publikut vjedhjen nga Belinda Balluku të miliona eurove, apo bashkëfajësinë e Edi Ramës në këtë çështje” – mësohet të jetë shprehur Gazment Bardhi.
