Në vitin 2014 Kuvendi miratoi Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, dokumentin themelor në status ligjor që përcakton vijat e përgjithshme por jo vetëm, të politikave të sigurisë në cdo fushë. Për publikun ky dokument mund duket thjeshtë si një copë letër me vlerë teorike dhe administrative e aq më shumë për mediat një praktikë e rëndomtë e institucioneve. Ky është një fakt pasi strategjia kaloi në heshtje e pa asnjë debat. Na është bërë zakon si shoqeri që çështjet e rëndësishme t’i trajtojmë me mëndjelehtësi ndërsa çështjet e lehta me një përkushtim marramendës. Por elitat politike që e kanë mëndjen si të prodhojnë intriga pushteti nuk është se thjeshtë e nënvlehtësojnë çështjen e sigurisë. Përkundrazi, e shohin si një mundësi për të larë gojën me partnerët strategjikë e nga ana tjetër nuk bëjnë asgjë për ta implementuar, apo më keq akoma sabotuar.
Ky dokument themelor për punët e shtetit, shihet fatkeqësisht nga qeveria jonë jo si një “road map” për të ushtruar detyrën parësore të saj, garantimin e sovranitetit tonë, por si mundësi për të bërë të kundërtën. Dhe ky nuk është një spekulim opozitar, por deduksion i gabimeve dhe fajeve të njëpasnjëshme që vërtetojnë pikërisht këtë akuzë. Por le t’i marrim një nga një elementët e këtij dokumenti.
Le ta nisim nga mbrojtja. Megjithë thirrjet e njëpsnjëshme prej dy dekadash në cdo samit të NATO-s për rritjen e buxhetit të vëndeve anëtare me 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sërish jemi në kushtet e një gënjeshtre nga ana e qeverisë tonë. Pasi vërtetë duket se buxheti i 2014 e kapi këtë objektiv, por në të vërtetë sic ka ndodhur dhe më parë, brënda buxhetit ka zëra që e kanë rritur artificialisht atë. Njëkohësisht po të shohim nivelin e investimeve dhe rritjes së kapaciteteve, sidomos ato të ‘forcës së luftimit”, jemi ose në kushtet e pajisjes me mjete dhe teknikë të falur e njëkohësisht të përdorur nga partnerët strategjikë, ose kemi mbetur në të njëtat nivele numerike të burimeve njërëzore të afta për luftë si para 12 viteve. Në propagandë jemi mirë, në fakt jemi në vend-numëro. Edhe projektet e blerjes së sistemeve të reja notojnë në paqartësi lidhur me partnerët e industrisë ushtarake vëndase (nëse ka një të tillë), ose më keq akoma bëhen gabime me manovra aktorësh më së paku abuziv dhe pa historik në këtë fushë. Dhe konkretisht i vetmi sukses i Kayo-s është pushtimi i ambienteve të News24 me shkopat e gomës së Policisë Ushtarake. Për pjesën tjetër me Shota e Galica, ambiguiteti është alarmant.
Por le të vazhdojmë me cështjet akoma më delicate që përmenden me të drejtë në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë. Identifikimi dhe reagimi ndaj “ndërhyrjeve dashakeqe” nga aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë të huaj në ekonomi, financë, sistemet kibernetike, dhe media përmes dizinformimit. Këto elementë të luftës hibride kanë njohur nivele suksesi relativ, por në spondën tjetër. Atë të vendeve jo-miqësore. Mjafton rasti Bankers, Aeroporti Vlorës e disa institucione financiare apo dhe më keq akoma bankare që kamuflohen përmes pronarëve fiktivë, për të dyshuar krejt arsyeshëm se infiltrimi ka qenë i susksesshëm dhe qeveria shqiptare e Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk i ka parandaluar, por u ka hapur derën. Sa u përket mediave ku veprojnë njerëz që prodhojnë propagande anti-perëndimore, fenomeni nuk shtrihet më në nivele dytësore por ka depërtuar në panelet kryesore të debatit e portale jo pak të ndjekura. Natyrisht që ata që “hedhin mish dhie” në mediume nuk dalin me bluza të stampuara të tipit “rroftë nëna Rusi’, “rroftë miqësia shqiptaro-kineze”, apo “para me revolucionin islamik-iranian”.
Por janë aq inteligjentë sa të sulmojnë parreshtur “degjenerimin e demokracisë perëndimore e tregut të lirë” apo duke sulmuar SPAK-un si e keqja e madhe që po i ndodh shqiptarëve. E në fund duke prodhuar empati me Hamasin, arritën edhe të shkojnë deri në anti-semitizëm. Të gjitha këto shoqerohen dhe nga dhjetëra portale që nuk u di askush pronarin dhe mijëra komente anonime që përforcojnë si kanacet e njëherë e një kohe, sinjalet e lindjes autokratike. E çfarë bëjnë institucionet përgjegjëse për të parandaluar këto valë të shfrenuar ndërhyrjesh dashakeqe? Jo vetmë asgjë e sehir, por shpeshherë drejtuesit e tyre janë vetë firmëtarë kontratash dhe garantë e përfitues në nivel propagande.
Por ky dokument ka dhe disa elementë të tjerë tejet të rëndësishëm që kanë të bëjnë me rritjen e ligjzbatimit dhe forcimit të institucioneve demokratike. Në Strategji nënvizohet qartë Reforma në Drejtësi si një aset shumë i vlefshëm në garantimin e demokracisë dhe forcimin e zbatimit të ligjit si përkundër korrupsionit ashtu dhe krimit të organizuar. E çfarë bën ekzekutivi në këtë drejtim? Që nga shkurti kur u ndalua Erion Veliaj, vetë kryeministri ka nisur një fushatë linçimesh ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që nga ato të juridiksionit të zakonshëm e deri të SPAK, GJKKO e Gjykata Kushtetuese. Duke marrë gjoja rolin e anës së duhur, Rama anatemon sa herë mundet gjyqësorin për ndërhyrje në punët e qeverisë. A thua se drejtësia duhet të ulet në llozhën e Parlamentit e të duartrokasë bëmat e gjysmës së qeverisë që endet sa në godinat e Prokurorisë së Posacme e deri në Gjykatën Kushtetuese!
Strategjia gjithashtu citon edhe disa fusha të tjera si lufta ndaj krimit të organizuar, krimit kibernetik e sigurinë ushqimore e energjetike. Shkurtimisht mund të thuhet së çështja e luftës ndaj krimit të organizuar ka marrë tatëpjetën që kur kryeministri thotë “hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ për vrasjet në mes të ditës, duke ia deleguar Kanunit të Lekë Dukagjinit përgjegjësinë e vetë qeverisë, e akoma më keq çdo dy javë arrestohet nga SPAK të paktën një oficer policie që punon ‘part time” informator dhe bodyguard i kriminelëve.
Siç duhet theksuar se pastrimi i parave të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve e ka shndërruar sektorin e ndërtimit nga sektor strehimi e shërbimesh në një lavatrice gjigande të parave të pista, ku cmimet e pronave kanë fluturuar si asnjëherë më parë. Nderkohë qe ndikimi i krimit në zgjedhje dhe emërime në nivelet më të larta te funksioneve publike ka ardhur duke u konsoliduar. Sa i përket luftës ndaj krimit kibernetik, pavarësisht nga inkurajimi i Sekretarit të Shtetit Marco Rubio në urimin për 28 nëntorin, akoma nuk janë tharrë plagët e sulmit të hackerave të Iranit ndaj shërbimeve dhe sistemeve publike të informacionit. Ashtu siç vjedhja e të dhënave të sistenit TIMS dyshohet se është bërë nga funksionarë të emëruar për shkak të “CV-ve të shquara” për precedent penalë në fushën e krimit kibernetik. Natyrisht me firmën e Ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Pa harruar dhe tentativën e një zyrtari të lartë për të thyer sigurinë e e-mailit të një prokurori të SPAK. Fiks qershia mbi tortë në luftën ndaj krimit kibernetik.
E për ta përfunduar, çështja e sigurisë ushqimore dhe energjitike që mbeten focus i sigurisë kombëtare, janë katandisur praktikisht në pikë të hallit. Jo vetëm që jemi një vend ku njerëzit i ruan Zoti nga çfarë hanë, por propaganda kundër prodhimit vendas e goditja që i bëhet përmes mos subvencionimit në favor të importuesve, na bën të dyshojmë se për cilat shtete punon qeveria jonë. Por më interesante është situata e sigurisë energjetike, ku pas 12 vitesh qeverisje as Skavica nuk po fillon të ndërtohet e as stoku i kërkesave për parqe fotovoltaike në zyrat e qeverisë nuk po zvogëlohet, duke e mbajtur varësinë nga importi i energjisë në nivele të lumturisë së Serbisë.
Me pak fjalë, kjo është panorama e sigurisë kombëtare dhe zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë që ose mbetet e pa zbatuar ose më keq akoma sabotohet prej korrupsionit apo dashakeqësisë së vetë qeverisë. Një gjë mund të thuhet me siguri. Kjo e jona është e vetmja qeveri që cenon sigurinë kombëtare që ka për detyrë ta garantojë. Zoti qoftë me Shqipërinë. Diçka më shumë partnerët!
