Ligji për të Drejtën e Autorit
Pas viteve ‘90, me ndryshimin e sistemit politik, Shqipëria nisi ndërtimin e një kuadri ligjor që njihte pronësinë intelektual. Ligji i parë shqiptar për të drejtën e autorit u miratua në vitin 1992 dhe u ndryshua disa herë, ku në 2005 u rishikua dhe u përshtat me standardet Bashkimit Europian dhe Konventës së Bernës.

Në vitin 2016 do të miratohej ligji përfundimtar për të drejtën e Autorit i cili njohu edhe rolin e organizatave të specializuara si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER, duke i bërë ato përgjegjëse për mbledhjen e tarifave dhe shpërndarjen e të ardhurave tek autorët. Po ashtu, ligji përcakton dënime të qarta për shkeljen e të drejtave të autorit, si gjoba, bllokim të materialeve të paligjshme dhe madje ndjekje penale në raste të rënda. Por artistët kanë ngritur shqetësimin pasi e drejta e autorit për shumë kompozime dhe tekste nuk po ju mbrohet.

Zef Çoba, kompozitor dhe Mjeshtër i madh tregon se i është përdorur materiali duke ju mohuar e drejta e autorësisë në vitin 2004 në Miss Glob që është zhvilluar në Durrës. Por kjo nuk është hera e vetme që artistit i janë përdorur krijimet pa lejen e tij dhe pa marrë vlerësimin financiar. Një nga rastet më flagrante për abuzim lidhet me këngën “Xhamadani Vija-Vija” të kompozitorit Zef Çoba.

“Tre vite më parë në kohën që zhvillohej kampionati botëror, kënga ime “Xhamadani vija-vija”, ishte përdorur nga Megatech, një sipërmarrës kaq i fuqishëm, duke zëvendësuar fjalët në lidhje me interesat e biznesit. “Xhamadani vija-vija, Megatech mbushim shtëpiat”. Unë u ankova por me përjashtim që kënga u hoq nga përdorimi si reklamë. Nuk përfitova ndonjë çdëmtim ose ndonjë të ardhur nga kjo”, shprehet i zhgënjyer kompozitori Çoba.

Albautor mbledh para, por nuk ua shpërndan artistëve
Në Shqipëri, SUADA është pika qendrore që bën lidhjen mes të gjitha organizatave kolektive të të drejtës së autorit, si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER. Ndryshe nga këto agjenci që përfaqësojnë secila grupime të ndryshme krijuesish, autorë, kompozitorë, interpretues, producentë, SUADA nuk përfaqëson autorët direkt, por funksionon si një mekanizëm koordinimi dhe mbledhjeje të të drejtash.

SUADA mbledh tarifat nga përdoruesit në emër të të gjitha agjencive të licencuara dhe më pas i shpërndan ato tek organizatat përkatëse, të cilat i transferojnë më pas tek krijuesit dhe interpretuesit.

Sipas avokatit Evien Dako, Suada nëpërmjet rregullimeve ligjore, shpërndan këto të ardhura drejt agjencive të administrimit kolektiv.

“Këto agjenci, me të ardhurat që marrin, nëse mund të them që kanë mungesë monitorimi, mundet ose kanë detyrimin për të krijuar kushte për monitorimin e këtij tregu, pra të monitorojnë vetë se si është përdorur vepra”, tha për “Vetting” avokati Dako.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, të dhënat financiare të kompanisë “Albautor” përsa i përket të ardhurave që ka marrë nga sporteli unik SUADA rezultojnë me probleme dhe mungese transparence. Artistët pretendojnë se nuk vlerësohen sa duhet dhe nuk është e qartë mënyra se si realizohet ky vlerësim financiar nga organizata.

Madje njëri nga anëtarët e Komisionit të Posacëm për Informim te Albautor, kompozitori Redon Makashi ka ngritur pikëpëyetje përsa i përket shpërndarjes së të ardhurave te autorët. “Nuk e kuptoj se si ato të ardhura financiare të mbledhura nga të ashtuquajtura nga e drejta e autorit, nuk e di si përfundojnë. Dhe ne, në fund të vitit marrim një pagë qesharake, është për të qeshur dhe për të qarë. Më vjen keq në radhë të parë sepse janë miqtë tanë, shokët tanë, që unë arrita të flas deri këtu sepse jam shumë i indinjuar deri në këtë pikë”, thotë për “Vetting” kompozitori Redon Makashi.

Të njëjtin qendrim ka edhe Mjeshtri i Madh Zef Çoba, i cili shprehet i habitur për mënyrën se si bëhet vlerësimi dhe si shpërndahen të ardhurat.

“Gjatë gjithë këtyre praktikave që kemi patur me të drejtën e autorit, ne nuk jemi njohur ndonjëherë me kriteret, ligjet ose të paktën një formular në të cilën kanë buruar të ardhurat e mia”, shprehet kompozitori Çoba. Nga raportet e auditimit të Albautor nga Ministria e Kulturës për vitin 2022 dhe 2023 rezulton se organizata ka problemet që lidhen pikërisht me të ardhurat që duhet të shpërndahen artistëve.

Raporti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2022 mbi veprimtarinë e “Albautor” tregon se ajo ka funksionuar sipas licencës, por me një sërë mangësish dhe shkeljesh që duhet të korrigjohen.

Ministria konstaton se, raporti nuk është i plotë dhe nuk siguron transparencën e nevojshme për mënyrën si përdoren dhe shpërndahen të ardhurat e mbledhura nga përdorimi i veprave muzikore.

Një tjetër problem është se disa të ardhura të deklaruara nga agjencia nuk janë arkëtuar gjatë vitit 2022, përfshirë fondet nga Broadcast Music dhe Autodia Greqi. Po ashtu, një pjesë e shpërndarjeve për agjencitë partnere janë kryer me vonesë, në tremujorin e parë të vitit 2023, megjithëse i përkasin vitit financiar 2022.

Whatsapp Image 2025 10 30 At 19.36.27
Whatsapp Image 2025 10 30 At 19.36.27

Edhe transfertat hyrëse nga Sporteli Unik dhe nga simotrat e huaja janë bërë vetëm në datën 30 dhjetor 2022, në fund të vitit. Ministria e cilëson këtë si një praktikë që vonon procesin e shpërndarjeve për autorët dhe cenon transparencën e raportimit. Në fund të vitit, “Albautor” kishte në llogaritë bankare 5.8 milionë lekë dhe 125 mijë euro, por një pjesë e fondeve të pashpërndara nuk ishte depozituar në fondin special të Ministrisë së Kulturës, siç e kërkon ligji.

Sipas avokatit Dako, në këtë rast ligji e ka të përcaktuar dhe i detyron agjencitë që të shpërndajnë të ardhura. “Nuk mundet kurrsesi asnjë agjenci menaxhimi kolektiv e cila ka një bord, të vendos mos të shpërndajë sepse të mos shpërndash, do të thotë që ti të mos kesh akses te shpenzimet dhe kostot e tua operative,” u shpreh avokati Dako.

Sipas raportit, agjencia nuk ka dorëzuar informacion mbi monitorimin e përdorimit të veprave që ajo përfaqëson, çka e bën të pamundur verifikimin e saktë të shpërndarjeve dhe përfitimeve të autorëve. Statuti i “Albautor” është i papërditësuar dhe nuk përputhet plotësisht me licencën që ka nga Ministria e Kulturës.

Në raportin e vitit 2022 gjendet një anomali financiare që bie ndesh me ligjin për të drejtën e autorit, neni 151, ku shpenzimet totale të një AAK-je nuk mund të përbëjnë më shumë se 30% të shpërblimeve të shpërndara. Por raporti evidenton shkelje pasi shpenzimet përbëjnë 37% të shumës së shpërndarë për autorët, ndërkohë që ligji lejon vetëm 30%.

Screenshot 5
Screenshot 5

Ministria e cilëson këtë tejkalim si tregues të mungesës së kontrollit të brendshëm financiar nga Albautor, por masa ndëshkuese nuk ka patur. E njëjta gjë ndodh edhe me raportin e auditit për vitin 2023, ku përqindja e shpenzimeve administrative ndaj shumës së shpërndarë për autorët vazhdon të jetë mbi kufirin ligjor prej 30%, duke treguar se agjencia përsërit të njëjtën shkelje në kundërshtim me ligjin, gjë e cila ishte theksuar edhe më parë.

Sipas avokatit Dako, ligji për të drejtën e autorit e përcakton dhe e detyron agjencinë që mos të përdori më shumë se 30% e vlerës së shpërndarë. Por një ndër problemet e shumta janë afatet me bilancet dhe dorëzimet. Bilanci i vitit 2022 është dorëzuar te Tatimet më 27 mars 2023 pa u miratuar nga organet kompetente të agjencisë dhe pa u audituar, gjë që bie ndesh me nenin 151 të ligjit për të drejtën e autorit. Auditimi i jashtëm që është i detyrueshëm nuk është kryer para dorëzimit të bilancit.

Një tjetër gjetje është se raporti financiar dhe dokumentet shoqëruese janë dorëzuar para njoftimit zyrtar të kontrollit nga Ministria, gjë që mund të ketë ndikuar në mungesën e informacionit të plotë që kërkohet në një verifikim zyrtar. Ministria thekson se proceset e brendshme të miratimit të bilancit dhe auditimit nuk janë ndjekur sipas procedurave ligjore dhe kërkon përmirësim të menjëhershëm.

Sipas kompozitorit Markelian Kapidani, në Shqipëri publiku i do artistët ndërkohë që ligji nuk është aty për ti mbrojtur për të drejtën e autorit. “Pra, jemi të pambrojtur nga ligji. Ekziston Albautori, ekzistojnë ligjet por unë nuk kam asnjë fije fitimi nga transmetimet e pjesëve të mia, orkestracioneve të mia, të cilat bëhen në mediat shqiptare. Kjo gjë është më të vërtetë preokopuese”, deklaroi kompozitori Kapidani.

Në fakt, Albautor ka tejkaluar kompetencat e veta duke kërkuar të vendosë nën mbledhjen e saj edhe të drejta që nuk i përkasin.

Sipas auditit 2022, në disa marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara me agjencitë simotra, janë përfshirë edhe kategori veprash që dalin jashtë objektit të licencës dhe Ministria kërkon që të gjitha këto kontrata të rishikohen dhe partnerët e huaj të njoftohen për kufizimet ligjore.

Raporti thekson se “Albautor” duhet të rrisë nivelin e transparencës, të përmirësojë kontrollin financiar, të rregullojë përputhshmërinë ligjore të dokumenteve dhe të përshpejtojë procesin e shpërndarjes së të ardhurave për autorët. Të njëjtat probleme shfaqen edhe te auditimi i vitit 2023 i realizuar nga Ministria e Kulturës, gjë e cila e bën më të rëndë situatën pasi tregon se nuk ka patur gabime, por shkelje të përsëritura, për të cilat Albautor është vendosur në dijeni paraprakisht.

Ministria konstaton se auditimi i jashtëm financiar i detyrueshëm nuk është kryer në kohë, ashtu siç kërkon ligji. Bilanci i vitit 2023 është dorëzuar pa raport auditimi të miratuar, një praktikë që ishte përsëritur edhe në vitin 2022. Kjo bie ndesh me nenin 151 të ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të. Madje disa të ardhura të deklaruara si të pranuara nga agjencitë e huaja nuk janë shoqëruar me prova bankare që të vërtetojnë arkëtimin real të fondeve.

Kërkohet që “Albautor” të paraqesë dokumentacionin e plotë për mënyrën si janë arkëtuar dhe shpërndarë këto fonde për autorët shqiptarë. Një pjesë e shpërndarjeve për anëtarët dhe për agjencitë simotra janë bërë me vonesë, në tremujorin e parë të vitit 2024, megjithëse i përkasin periudhës financiare të vitit 2023.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare janë konstatuar gjithashtu mospërputhje. Përsëri disa marrëveshje që “Albautor” ka nënshkruar me agjencitë e huaja janë në shkelje të ligjit për të Drejtën e Autorit dhe përfshijnë kategori të drejtash që nuk janë pjesë e licencës që agjencia zotëron. Ministria ka kërkuar që këto kontrata të rishikohen dhe partnerët ndërkombëtarë të njoftohen për kufizimet ligjore që ka “Albautor” në administrimin e të drejtave.

Por një nga gjërat që përsëritet te të dyja raportet është se statuti i “Albautor”-it vazhdon të mos jetë përditësuar sipas licencës që ka nga Ministria.

Dokumenti nuk përcakton qartë kategorinë e veprave që mbulon licenca dhe nuk përfshin ndryshimet e nevojshme për përputhje me ligjin. Madje mandati i presidentit të agjencisë mbetet i papërcaktuar, megjithëse ai është në detyrë që nga viti 2015.

Ministria i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur agjencisë një përcaktim të qartë të mandatit dhe përditësim të plotë të statutit. Për shumicën e rekomandimeve të dhëna në raportin e vitit 2022, Ministria vëren se “Albautor” nuk ka ndërmarrë masa konkrete.

Këto probleme përfshijnë mungesën e auditimit në kohë, tejkalimin e kufirit të shpenzimeve, mosdepozitimin e fondeve të pashpërndara në fondin special, mungesën e përditësimit të statutit dhe vonesat në raportimet financiare.

Në përfundim, Ministria e Kulturës thekson se megjithëse “Albautor” ka rritur numrin e anëtarëve dhe ka zgjeruar bashkëpunimet ndërkombëtare, por problemi i transparencës financiare, i zbatimit të ligjit dhe i përditësimit të dokumenteve mbetet serioz.

Agjencia ka marrë një afat për të përmbushur rekomandimet dhe për të dorëzuar provat që tregojnë se ka korrigjuar të gjitha mangësitë. Raporti për vitin 2023 konkludon se “Albautor” duhet të përmirësojë ndjeshëm auditimin, raportimin financiar, kontrollin e shpërndarjeve, përputhjen ligjore të marrëveshjeve dhe administrimin e brendshëm për të qenë në përputhje me standardet ligjore të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb