Bayern Munchen ka fituar 9 kampionate radhazi duke dominuar Bundesligën ashtu siç nuk e ka bërë asnjë skuadër deri tani. Sigurisht që titujt kanë ardhur si pasojë e një pune të madhe nga drejtuesit dhe deri të lojtarët.

Konkurrenca ka qenë e pakët për të mos thënë inekzistente edhe pse skuadra si Lajpcigu apo Dortmundi janë munduar të pengojnë jo pak herë bavarezët.

Por, tani duket se ka ardhur koha për të rritur konkurrencën. Diskutimet që janë duke u bërë në DFL janë ato të hyrjes në fuqi të fazës “play off”.

Sipas CEO-s së ligës gjermane, Donata Hopfen, gjithçka do ta bënte më interesant kampionatin. “Sigurisht që do të ishte një garë me e bukur mes katër skuadrave që renditen në vendin e parë. Do të flasim me klubet dhe do ta propozojmë këtë sistem për të mirën e të gjithëve”.

Ndërkohë që skuadra që preket më shumë në këtë ndryshim është Bayern. Kampionët në fuqi edhe pse mund të jenë kundër, kanë mirëpritur këtë ndryshim të mundshëm.

“Mendoj që do të ishte shumë interesante për t’u parë se si do të ishte kampionati me fazën e “play off”. Ky format do të zhvillohet edhe në Champions dhe mendoj që do të jetë po aq interesant.

Me sa duket bordi drejtues i ligës kërkon të njëjtën gjë. Ne si klub jemi të hapur për çdo gjë edhe pse ky format do të ndikonte direkt në luftën për titull”, tha CEO i Bayernit për “Bild”.

Gjithsesi, një vendim i tillë do të hynte në fuqi vetëm në vitin 2024, për të arritur në aprovimin e këtij sistemi duhet miratimi i të gjitha klubeve në Bundesligë, kjo, pasi e njëjta gjë do të vlejë për skuadrat që do të bien në kategorinë e dytë që do të duhet të luanin ndeshje “play out”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb