Avokati Ilian Qeleshi ka reaguar pas skenave të dhunës ndaj televizionit Neës24 nga Policia dhe Ushtria. Në një reagim, avokati shprehet se është e paperceptueshme se si për të mbyllur një televizion ndërhyn Ushtria dhe Policia, pa u bazuar në asnjë ligj dhe normë si ligjore ashtu edhe morale.

Avokati Qeleshi u bën thirrje institucioneve shqiptare, ambasadave, organizatave të huaja, institucioneve ligjzbatuese dhe cilitdo aktor dhe faktor, “të kthejë vemendjen dhe të mbajë qëndrim ndaj kësaj plaçkitjeje dhe paligjshmërie autoritare”.

Deklarata e avokatit Ilian Qeleshi:

Si avokat i ri dhe i rritur në demokraci s’do ma merrte kurrë mendja të shikoja plaçkitje dhe sekuestrim televizioni siç po ndodh në News24. Është e paimagjinueshme që pa asnjë procedurë, pa asnjë shkresë, pa u bazuar në asnjë ligj dhe normë si ligjore ashtu edhe morale, të mbyllet një televizion me polici dhe ushtri. Këto skena janë të pa konceptueshme në një shtet të së drejtës.

Si avokat i këtij grupi mediatik ndjej keqardhje për nivelin e demokracisë dhe zbatimit të ligjit.

Ju bëj thirrje institucioneve shqiptare, organizatave të huaja dhe shqiptare, ambasadave dhe cilitdo aktor dhe faktor, të kthejë vemendjen dhe të mbajë qëndrim ndaj kësaj plaçkitjeje dhe paligjshmërie autoritare.

Shpreh besimin se herët a vonë e drejta do të fitojë dhe paligjshmëria do të dënohet.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb