Mes emocioneve dhe fjalëve prekëse, kryeministri Edi Rama vlerësoi sot me medalje një ndër heronjtë e tërmetit katastrofik të 26 nëntorit, zjarrfikësin vlonjat, Luan Kapaj, i cili rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar jetë njerëzish nën rrënoja.
Teksa i dorëzonte medaljen, që nuk e kishte marrë asnjë individ deri më sot, kreu i qeverisë tha: “I dashur Luan, jam shumë i prekur që jam pranë teje. Të jam shumë mirënjohës dhe të falënderoj shumë për gjithçka”.
Më tej, kryeministri kujtoi orët e tmerrit që përjetoi çdo shqiptar, por edhe heronjtë e ekipeve të kërkim-shpëtimit brenda e jashtë vendit, pas orës 03:54 të mëngjesit të 26nëntorit.
“Një President i SHBA thotë se “heronjtë nuk janë më të guximshëm se të tjerët, por tregohen më të guximshëm”. Edhe guximi i Luanit ishte për shumë e shumë orë, me stres, e me dridhjet e tokës që vazhdonin, çka e bën atë hero të një lloji shumë të veçantë. Njëri më tha “si mund të ishte një njeri aq i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij në kushte të jashtëzakonshme”. Dhe unë i thashë “nuk ke për ta kuptuar kurrë, po nuk kuptove çdo të thotë të jesh vlonjat”. Sot unë dëshiroj t’i jap Luanit medaljen e artë për vlerësim maksimal, që është dhënë për herë të parë vetëm për trupat e kërkim-shpëtimit që erdhën e na ndihmuan të shpëtonim njerëz nën rrënoja. Por është e para që i jepet një individi.
Procesi i rindërtimit po ecën jashtëzakonisht mirë. Ndodh rëndom që kur bëhet një mini-punë, cinikët thonë ‘e mo se detyrën po bën’. Në fakt, detyrën po bëjnë, por dallimin e bën përkushtimi dhe cilësia. Dua të kujtoj fjalët e presidentit De Gol, i cili duke folur për katastrofat ka thënë që “nuk është e tolerueshme dhe nuk është as e mundur që nga vdekjet, sakrificat dhe shkatërrimi, që prodhojnë kaq shumë heroizëm, të mos zhvillohet një xhinde më e mirë njerëzore”. Dhe unë jam i sigurt se nga ajo që pamë e kaluam, kemi mundësi të zhvillojmë një xhindje më të mirë njerëzore këtu”, tha Rama.
(BalkanWeb)
