Një skemë e mirëorganizuar vjedhjeje është zbuluar nga policia në zonën e Kinostudio në Tiranë, ku dy persona u arrestuan pasi tentuan të grabisnin një banesë duke përdorur çelësa të falsifikuar. Sipas burimeve, Andi Hasani dhe Agron Goxhaj kanë survejuar pronarin e banesës derisa ai është larguar, për të hyrë më pas brenda duke përdorur një çelës të përgatitur nga Goxhaj. Brenda banesës, ata kanë marrë një kasafortë që përmbante para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Pas hapjes së kasafortës, dy të dyshuarit kanë zbuluar edhe një armë zjarri, e cila rezultonte me leje në emër të pronarit. Kjo i ka bërë ata të dyshojnë se mund të kishin të bënin me një punonjës policie, duke i shtyrë të rikthehen në banesë për të lënë armën dhe kasafortën, ndërsa sendet e tjera i kishin mbajtur.
Megjithatë, plani i tyre dështoi. Sapo janë afruar sërish pranë banesës, ata kanë konstatuar praninë e policisë, e cila ishte njoftuar nga pronari pas zbulimit të vjedhjes. Në përpjekje për t’u larguar me vrap, ata u ndoqën dhe u arrestuan nga efektivët e Komisariatit nr. 4.
Gjatë kontrolleve në banesën e Agron Goxhaj, policia zbuloi një punishte të përshtatur për falsifikimin e çelësave, çka forcon dyshimet se ai dhe bashkëpunëtori i tij kanë kryer edhe vjedhje të tjera me të njëjtën metodë në zona të ndryshme. Mësohet se Goxhaj ka precedent penal, pasi është arrestuar më herët për plagosje në Shkodër. Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme ku mund të jenë përfshirë të dyshuarit.
