Skena që ngjasojnë me filmat aksion janë regjistruar mëngjesin e së hënës në një autostradë në jug të Italisë, ku një grup grabitësish të maskuar sulmuan dhe hodhën në erë një automjet të blinduar në mes të rrugës, pasi bllokuan qarkullimin me automjete të kamufluara si makina policie.
Ngjarja ndodhi në autostradën 613, që lidh qytetet Leçe dhe Brindisi. Pamjet e publikuara nga mediat italiane tregojnë momentin kur grabitësit ndalojnë automjetin e blinduar, i cili i përkiste kompanisë së sigurisë Battistolli (BTV), dhe më pas shkaktojnë një shpërthim për ta hapur atë. Sipas raportimeve, autorët përdorën makina me drita të rreme sinjalizuese, për t’i bërë ato të dukeshin si automjete policie dhe për të mashtruar shoferët e mjetit të blinduar. Pas shpërthimit, grabitësit u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.
Forcat e policisë nisën menjëherë një operacion të gjerë kërkimi. Pak më vonë, një nga automjetet e përdorura gjatë grabitjes, një Alfa Romeo, u gjet e braktisur në një rrugë rurale. Pranë saj, policia arrestoi një burrë të veshur me kapuç, i cili ishte i paarmatosur. Më pas, një person i dytë, gjithashtu me kapuç, u arrestua teksa tentonte të largohej në këmbë nga zona. Në afërsi të vendit të arrestimeve, autoritetet gjetën edhe një xhip, i cili dyshohet se ishte planifikuar për t’u përdorur si mjet arratisjeje nga grabitësit. Ndërkohë, kërkimet për dy grabitës të tjerë vijojnë, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë që grupi kriminal të përbëhej nga më shumë se katër persona. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar të gjithë të përfshirët dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e sulmit spektakolar.
Un furgone portavalori è stato assaltato sulla statale 613, la superstrada che collega Lecce a Brindisi, all’altezza di Tuturano. Ci sarebbe stato un conflitto a fuoco con i carabinieri. Non risulta che ci siano feriti. Nel video condiviso da Claudio Stefanazzi, deputato del… pic.twitter.com/F62VbFTLer
— Repubblica (@repubblica) February 9, 2026
