Vetëm përkëdhelja e tyre i bën mirë shëndetit, aktivizon hormoninë e lumturisë dhe për pasojë ul shanset për sëmundjet kardiovaskulare, sipas “Vanity Fair Italia”.

Në Itali, përveç Ditës Ndërkombëtare të Maceve në muajin gusht, festohet edhe Dita Kombëtare e Maceve, më 17 shkurt.

Të vlerësuara si perëndi nga egjiptianët e lashtë, macet, si shtëpiaket ashtu edhe ato endacake, janë ndër kafshët më të përhapura në botë.
Por, si mund ta dimë nëse një mace na ka “zgjedhur”?

A dimë të interpretojmë shenjat që tregojnë emocionet dhe dashurinë e tyre të pakushtëzuar?

“Macet “na flasin” në shumë mënyra, nepermjet vokalizimeve, gërvishjteve, fërkimeve, përqafimeve me bisht”, tha Manuela Michelazzi, drejtoreshë dhe mjeke veterinere në “Parco Canile Gattile” në Milano.

Secila prej tyre, sipas mjekes, është një mesazh që na tregon diçka të rëndësishme për botën emocionale, protagonistët e së cilës jemi ne.

Vokalizime për të shprehur ndjesitë e tyre

Ato që ne i quajmë mjaullime janë vokalizime, ato na tregojnë për dëshirat e tyre.

Dhe ato mund të jenë të shumëllojshme.

Për të na shprehur dëshirat e tyre, macet mjaullijnë.

Këto vokalizime, të cilat dallohen mbi të gjitha nga toni, mund të shprehin shumë disponime të ndryshme: frikë, agresion, kërkesa të veçanta.

Macja na flet, na kërkon vëmendje, kujdes, ushqim dhe lojëra.

Macja që na ka zgjedhur na bën pjesë të jetës dhe ndjesive të saj.

Gërhitja, e cila nuk është gjithmonë një kënaqësi

Ajo gërhitje e mrekullueshme që në disa raste, duket si një zhurmë misterioze dhe unike, një komunikim joverbal që na e japin vetëm macet, nuk është gjithmonë një shenjë pozitive.

“Ato nuk gërhijnë vetëm kur janë mirë, ndonjëherë gërhitja është një simptomë e sëmundjes”, shpjegoi Michelazzi.

Ato duhet të konsiderohen gjithmonë si një kërkesë për vëmendje e cila mund të jetë gjithashtu një kërkesë për ndihmë.

Në rastet më ekstreme ka pasur mace që kanë gërhitur në prag të vdekjes.

Fërkimet na lënë erën e tyre

Madje edhe kur na afrohet dhe na fërkohet macja elegante dhe dinake, na flet, dhe në përgjithësi na thotë se jemi të rëndësishëm për të.

Ky lloj kontakti fizik shumë i veçantë ka një kuptim, macja kërkon të na lërë erën e saj dhe të marrë tonën.

Ja përse na afrohet tek këmbët dhe fërkohet me gjithë trupin. Falë gjëndrave që lëshojnë sekrecione me të cilat macet janë pajisur, ato lëshojnë erën duke u fërkuar dhe në të njëjtën kohë marrin edhe tonën dhe e asimilojnë.

Përqafimet me bisht na tregojnë se na kanë zgjedhur

Macja ka edhe një mënyrë tjetër për të na thënë “ti je i imi”, përmes përqafimeve me bisht.

Endja e maceve rreth nesh dhe më pas rrotullimi i bishtit të butë rreth këmbëve tona ka një kuptim shumë të rëndësishëm.

“Këto janë sinjale shoqëruese që shprehin dashuri ndaj nesh.

Një deklaratë e vërtetë dashurie që ia kushtojnë njerëzve që kanë “zgjedhur”, shokët e lojës apo ditët e heshtura, janë ata të zgjedhurit e pranuar në mbretërinë e maces.

Macet janë kafshë shumë selektive. Edhe në koloni vërehet se ata i zgjedhin miqtë e tyre, ashtu siç identifikojnë edhe armiqtë e tyre.

Dhe këto prirje janë në gjendje t’i shprehin edhe nëpërmjet sinjaleve të komunikimit.

Ato bëjnë të njëjtën gjë me ne, duke treguar qartë se kush dhe çfarë jemi ne për ta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb