Këshilluesi i mjekësisë holistike, Nikola Ndoni, ishte sot i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, ku ndau këshilla të rëndësishme mbi mënyrat më të shëndetshme për të qëndruar të hidratuar gjatë muajve të nxehtë të verës.
Ndoni theksoi se nuk është gjithmonë e nevojshme të pimë sasi të mëdha uji, dhe se hidrimi më cilësor vjen nga brenda organizmit, përmes ushqimeve të duhura.
“Një ushqim i pasur me karbohidrate apo produkte të përpunuara kërkon shumë ujë për t’u tretur. Ndërsa nëse ushqehemi me produkte shtazore dhe yndyra të shëndetshme, nevoja për ujë zvogëlohet ndjeshëm,” tha ai.
Ndoni rekomandoi një ushqyerje të përshtatur me nevojat reale të trupit, me fokus në proteina cilësore, ndërsa paralajmëroi kundër konsumit të sheqernave të përpunuara dhe madje edhe sheqerit natyral të frutave.
“Të pish shumë ujë mund të jetë e dëmshme. Uji më i mirë është ai që prodhohet nga qelizat tona. Prandaj, është e rëndësishme të konsumojmë perime të freskëta, si kastraveci dhe selinoja, të cilat ndihmojnë në hidratimin natyral të trupit,” shtoi ai.
Ndoni sugjeroi gjithashtu që gjatë verës të shmangen akulloret, të cilat përveç sheqerit të lartë, ndikojnë negativisht në balancën e lëngjeve në trup.
