Agjencia Shtetërore e Kadastrës informon qytetarët mbi shërbimin “Kërkesë për kalimin e pronësisë të truallit shtetëror në përdorim”, i cili u vjen në ndihmë individëve dhe subjekteve që përdorin truall shtetëror, por nuk zotërojnë akt pronësie për të, ose akti që disponojnë është i pavlefshëm, në përputhje me dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
Shërbimi mundëson pajisjen me dokument pronësie për truallin, në rastet kur qytetarët kanë akt të regjistruar ose të regjistrueshëm vetëm për ndërtesën e ndërtuar mbi truall shtetëror.
Për të përfituar nga ky shërbim, duhet të plotësohen disa kritere bazë:
* trualli dhe ndërtesa të jenë në posedim të subjektit aplikues;
* ndërtesa të jetë përfituar ligjërisht, përmes privatizimit, blerjes nga ndërmarrjet shtetërore, ish-kooperativat bujqësore ose njësitë e vetëqeverisjes vendore, ose të jetë ndërtuar mbi bazë lejeje ndërtimi të lëshuar pas vitit 1991;
* ndërtesa të ketë funksion banimi ose social-ekonomik;
* trualli të jetë pronë shtetërore dhe jo pronë publike e patjetërsueshme.
Për ndërtesat me funksion banimi, kalimi i truallit shtetëror në përdorim në pronësi kryhet FALAS, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të përfitojnë pronësinë mbi truallin pa kosto për përfitimin e tij.
Në varësi të statusit të ndërtesës, qytetarët duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës, si:
kontratë pronësie mbi ndërtesën, shoqëruar me genplan ose planimetri, ose leje ndërtimi dhe genplan përkatës;
* deklaratë noteriale që ndërtesa nuk është tjetërsuar tek të tretët, kur kërkohet;
* kontratë kalimi pronësie ose certifikatë/vërtetim regjistrimi në regjistrin kadastral, në rastet kur ndërtesa është e regjistruar;
* vërtetim nga drejtoria rajonale tatimore për pagesën e taksës së truallit në përdorim, nga data 7 qershor 2010 deri në momentin e aplikimit.
Aplikimi realizohet online përmes portalit e-Albania, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen edhe përmes postës pranë drejtorisë vendore ASHK.
Ky proces synon të lehtësojë kalimin në pronësi të truallit shtetëror, të forcojë sigurinë juridike për qytetarët dhe të përmirësojë aksesin në shërbimet kadastrale përmes digjitalizimit.
