Mjeku pediatër Erges Eskiu, i ftuar në studion e “News24”, ka folur mbi rëndësinë e marrëdhënies së prindërve me fëmijët, si një faktor thelbësor në parandalimin e fenomeneve të rrezikshme siç është bullizmi.
Sipas doktor Eskiut, mënyra se si fëmijët përballen me ambientet e reja dhe njerëzit që nuk njohin, është një sinjal i rëndësishëm për vetëbesimin dhe shëndetin emocional të tyre.
“Kur një fëmijë është i ndrojtur dhe e ka të vështirë të afrohet me një person të panjohur, është shumë e rëndësishme që eksperiencat e para të menaxhohen me kujdes. Fëmijët që e kalojnë këtë fazë më shpejt, janë zakonisht më të sigurt në vetvete dhe më të mbrojtur ndaj presioneve sociale në të ardhmen,” u shpreh Eskiu.
Ai theksoi se prindërit duhet të nxisin pavarësinë, duke i lejuar fëmijët të përballen vetë me situata të reja dhe të marrin vendime, gjithmonë nën mbikëqyrje të kujdesshme.
“Nuk duhet të ketë hiperkujdes për gjithçka. Kur prindi mendon se diçka është e vështirë për t’u bërë, mjafton të jetë prezent. Kjo i jep fëmijës besim. Ndërsa kur i thuhet vetëm ‘jo’, ai mund të tentojë ta bëjë fshehurazi, duke rrezikuar pasoja të frikshme,” shtoi mjeku.
Në lidhje me parandalimin e bullizmit, Eskiu theksoi se komunikimi i përditshëm është thelbësor.
“Të paktën gjysmë ore në ditë është e rëndësishme që prindërit të flasin me fëmijët e tyre. Në këtë mënyrë shmangen shumë probleme, përfshirë edhe rastet e bullizmit,” theksoi pediatri.
