Nga Qemal Lame

Pjesë nga libri “Miq dhe armiq”

Ramiz Alia shpjegon se nuk e ka ditur arsyen e propozimit të Enverit për Kadriun: “… nuk e di me saktësi nga u nis ai kur e bëri këtë propozim për Kadriun. Nuk besoj të ketë synuar që “ta provokojë”. Por mendoj se duke propozuar Kadriun ai kishte parasysh krahinën e Vlorës, sepse dy kuadro kryesorë të asaj zone, M. Shehu dhe H. Kapo, tashmë nuk jetonin.”

“Nuk e kam biseduar asnjëherë këtë gjë me Enverin, kështu që nuk e di me saktësi nga u nis ai kur e bëri këtë propozim për Kadriun. Nuk besoj të ketë synuar që “ta provokojë”. Por mendoj se duke propozuar Kadriun ai kishte parasysh krahinën e Vlorës, sepse dy kuadro kryesorë të asaj zone, M. Shehu dhe H. Kapo, tashmë nuk jetonin. Ndoshta kjo ishte arsyeja përse përshëndetja në mitingun e Tiranës, pas Kongresit VIII (kur M. Shehu ishte ende gjallë) iu ngarkua K. Hazbiut. Enveri i vinte re shumë qëndrimet ndaj krahinave të ndryshme, sidomos atyre të Luftës.”

Krahas këtyre mendimeve, ka rëndësi të theksohet se marrja e mendimit të Kadri Hazbiut dhe tërheqja e tij, duke ia lënë atë detyrë Adil Çarçanit, duhet vlerësuar si një qëndrim i drejtë. Njëkohësisht, ky qëndrim i drejtë ka shtuar edhe dyshimet ndaj tij. Kështu, merr rëndësi versioni se ai është provokuar me paramendim. Pyetja për një detyrë më të lartë shtetërore është bërë papritur dhe në mënyrë surprizuese me qëllim që të zbulohej nëse kishte synime më të mëdha për të marrë pushtetin kryesor pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Kadriu ka qenë personi më i aftë për kryeministër. Për këtë arsye vlerësohet e drejtë edhe pyetja për të marrë mendimin e tij. Intriga e përmbajtjes së pyetjes surprizuese ka qenë për të verifikuar efektin e vlerësimit të madh që i bënte vetë udhëheqësi dhe për të zbuluar qëllimet e tij të vërteta, pasi dyshohej, ndiqej dhe bëheshin përgatitje për ta eliminuar edhe atë bashkë me Mehmetin e të tjerë. Enveri duket se është kënaqur në ndërgjegjen e tij të trazuar për përfundimet e pyetjes, duke perceptuar direkt reagimet dhe vlerësimet e Kadriut. Në mendjen e Enverit është përforcuar më tej dyshimi se Kadriu, duke u tërhequr vetë dhe duke dhënë mendimin për Adilin për detyrën e kryeministrit të ardhshëm, kishte zbuluar pretendimin e tij të vërtetë për të marrë pushtetin më të lartë pas vdekjes së udhëheqësit.

Qemal Lame
Qemal Lame

Ky përfundim i analizës së bërë nga Enveri ka nxitur më tej qëndrimet për shpejtimin e masave për eliminimin e tij si pretendent potencial dhe tepër i rrezikshëm për shkak të aftësive, përvojës dhe funksioneve që kishte. Këto u dëshmuan hapur me arrestimin e Kadriut, në kundërshtim të hapur me çdo kriter ligjor në fuqi në atë kohë, pa u analizuar në Byronë Politike, pa u kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm heqja e imunitetit si deputet në Kuvendin Popullor. Ditën që është bërë arrestimi i tij Kadriu vazhdonte të kryente normalisht detyrën e ministrit dhe të anëtarit të Byrosë Politike.

Megjithëse kishte të drejtën e imunitetit parlamentar, ai arrestohet dhe vihet para përgjegjësisë penale me akuzat e rënda që iu bënë si armik, tradhtar, poliagjent dhe bashkëpunëtor në komplotin e kryesuar prej Mehmetit dhe atij vetë për vrasjen e Enver Hoxhës, marrjen e pushtetit, ndryshimin e politikës dhe kalimin nga socializmi në kapitalizëm. Zgjedhja e Adil Çarçanit si kryeministër pas Mehmet Shehut ishte vendimi më i mirë i vlerësuar edhe nga populli!

Zgjedhja e Adil Çarçanit si kryemintër, pas ngjarjes me Mehmet Shehun, ishte zgjidhja më e mirë e bërë në atë rrethana. Emërimi i tij si kryeministri i ri, pas ngjarjes së rëndë misterioze me kryeministrin e mëparshëm, u mirëprit dhe pati edhe ndjenjën e besimit dhe të lehtësimit te njerëzit e thjeshtë. Adili ishte anëtar i Byrosë Politike dhe zëvendëskryeministër prej një kohe të gjatë. Ai shquhej për aftësitë e tij profesionale, përvojën në punën e bërë bashkë me kryeministrin e mëparshëm të suksesshëm. Pozitivisht ndikonte edhe mendimi i mirë që ekzistonte në organet e partisë, institucionet shtetërore dhe opinioni dashamirës i popullit për të si njeri punëtor, i kudogjendur, me sjellje korrekte, miqësore etj Vlerësohej balancimi i qëndrimeve që kritikoheshin për metodën e drejtimit me ashpërsinë e Mehmetit dhe me reflektimin e qetë dhe dashamirës të Adilit.

Kështu krijohej një tablo më e qartë për të dy këta drejtues të lartë të shtetit, që kishin pasur vazhdimisht marrëdhënie shumë të mira zyrtare, shoqërore e miqësore midis tyre, të kishin efekte pozitive në rolin dhe veprimtarinë e tyre drejtuese në qeveri. Ata me punën dhe përgjegjësinë në realizimin e detyrave plotësonin njëri-tjetrin në veprimtarinë e rëndësishme shtetërore. Në krahasimin proverbial si “ujku me qengjin”, që bëhej në disa raste nga ata që i njihnin nga afër, apo nga larg, mësohej dhe edukohej se bashkëjetesa dhe veprimtaria e përbashkët e dy njerëzve me karaktere të kundërta ka rëndësi që të kuptohet dhe të vlerësohet drejt.

Personalitetet e larta shtetërore, si edhe njerëzit e thjeshtë, dallohen dhe vlerësohen nga idealet dhe qëllimet e tyre, përkushtimi në punë, qëndrimi i rreptë për mbrojtjen e parimeve politike, ligjeve, rregulloreve dhe normave shtetërore dhe shoqërore. Idetë vizionare janë frymëzuese, nxitëse, mobilizuese, përkushtuese, transformuese, dominuese për projektimin dhe realizimin e reformave dhe detyrave, si për politikanët ndaj të cilëve kërkohet përgjegjësi për të vënë në jetë programet politike për zhvillimin dhe përparimin e shtetit, ekonomisë, mirëqenies, sigurisë e qetësisë së popullit, ashtu edhe për çdo individ që do të afirmohet dhe të arrijë sukses në jetë dhe në familjen e tij.

Me këtë botëkuptim bëhet më i qartë edhe roli dhe përgjegjësia për drejtimin e shtetit dhe të popullit. Tek ashpërsia e qëndrimeve për zbatimin e ligjeve dhe të detyrave të caktuara kërkohet të dallohet edhe reflektimi ndaj arsyes, qëndrimi kritik e autokritik, për të mbajtur përgjegjësi, vendosur me vizion të gjerë për miratimin dhe realizimin e reformave transformuese, duke studiuar, dëgjuar, marrë mendime, insistuar me të drejtë, korrigjuar pa frikë edhe të metat kur gabon. Tek butësia, qetësia dhe reagimet njerëzore ka rëndësi të kuptohet se ato janë virtyte të mira të njerëzve. Me anë të tyre del më mirë në pah kultura, sjellja në punë e shoqëri, zgjuarsia në marrëdhëniet zyrtare dhe shoqërore, përkushtimi në realizimin e detyrave me ndjenjë të lartë përgjegjësie, duke vepruar me cilësitë e kërkuara profesionale dhe etikë qytetare. Këto vlerësime kanë vendin e tyre në çdo kohë.

Por ato kanë pasur karakteristikat e tyre dalluese në periudhën e Luftës, pas Çlirimit dhe në periudhën e gjatë të socializmit, ku në udhëheqjen kryesore dominoi qëndrimi i ashpër në drejtimin e shtetit dhe të shoqërisë, mania për marrjen dhe mbajtjen gjithë jetën të pushtetit, për imponimin e autoritetit nga pozita e më të pushtetshmit, propaganda për krijimin e kultit të individit dhe idhullit të udhëheqësit, deri edhe të hyjnizimit si një perëndi. Këto dukuri kanë qenë karakteristike sidomos në vendet ish-socialiste. Tendenca të kësaj natyre ka pasur edhe në shtetet e demokracive perëndimore, por në ato vende këto dukuri negative nuk bëheshin dalluese për periudha të caktuara, për vetë rregullat e rotacionit të pushtetit dhe ndërrimit të personaliteteve të larta shtetërore që qëndronin për një kohë të përcaktuar me ligj në pushtet dhe më pas nuk gëzonin më privilegjet e posaçme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb